Jusuf Shalaku-Cufa ishte njeri i urtë, gjakftohtë, trim dhe sypatrembur

04 tetor 14:00

Fadil FAZLIU

(Me rastin e 12-vjetorit të vdekjes së luftëtarit të lirisë Jusuf Shalaku-Cufa)

Vëllezër dhe motra të nderuar pjesëmarrës në këtë tubim përkujtimor!

E nderuara familja Shalaku! Ju përshëndes të gjithëve!

Sa herë që vjen muaji tetor, ne të gjallët, do ta përkujtojmë me respekt të veçantë luftëtarin e palodhur për liri, Jusuf Shalakun – Cufën.

Ta përkujtosh Cufën, do të thotë të marrësh mësim nga puna e palodhur e tij; do të thotë të ecësh pa hamendje në rrugën e tij të lavdishme; do të thotë të angazhohesh për të jetësuar idealin e tij. Ideali i Cufës si dhe i të gjithë luftëtarëve të lirisë, ishte bashkimi i popullit shqiptar në një shtet të vetëm, sovran, të lirë e demokratik.

Ata u vunë në shërbim të çështjes sonë kombëtare duke mos kursyer as jetën e tyre. Ata u bënë zëri ynë, forca e jonë, mbështetja e jonë e madhe. I tillë ishte edhe luftëtari i lirisë, Jusuf Shalaku-Cufa.

Vendosmëria në rrugën e luftës për liri, dëshira për të ecur përpara, etja për dituri, dashuria për punën dhe atdhe ,dashuria për shokun, dëshira për ti konsoliduar më mirë radhët e organizuara patriotike dhe për ta ngritur luftën për liri në një shkallë më të lartë,- të gjitha këto ndodheshin në personalitetin e Cufës.

Ky mëshironte në vetvete tiparet më të mira të popullit tonë të vuajtur e bujar.

Cufa u lindi më 12 prill të vitit 1962, në një familje bujare dhe patriotike. Në gjirin e kësaj familjeje u strehuan atdhetarë të ndryshëm në kohët më të vështira. Kjo familje ka dhënë një kontribut të çmueshëm dhe të vazhdueshëm për çështjen kombëtare. Në odën e Bacës Salih bisedohej për sakrificat, vuajtjet, mundimet dhe luftërat që ka bërë populli ynë në shekuj. Jo vetëm që bisedohej, por edhe bëheshin plane të ndryshme për organizimin e popullit kundër pushtuesit. Baci Salih ka qen i organizuar në veprimtari patriotike ilegale me atdhetarët të çështjes kombëtare Ahmet Haxhiun dhe Idriz Shalakun.

Dera e kësaj familje ishte e hapur për të gjithë veprimtarët. Në këtë frymë u rrit dhe u frymëzua edhe Cufa. Edukata familjare ka luajtur një rol shumë të madh në formimin patriotik të tij. Shkollën fillore e kreu në Dardhishtë, ndërsa të mesmen në Kastriot.

Aktiviteti i tij në shërbim të çështjes kombëtare nis si nxënës i shkollës së mesme. Ishte njëri ndër organizatorët kryesor të demonstratës së 30 marsit të vitit 1981 në Kastriot. Kjo demonstratë vuri në pah pakënaqësitë e mëdha që po ziente nga brenda populli ynë. Demonstrata pati ndikimin e vet të drejtpërdrejt edhe tek punëtorët e elektro-ekonomisë, të cilët më pastaj morën pjesë në demonstratat e 1 dhe 2 prillit të mbajtura në Prishtinë. Jehona e tyre ishte e madhe. Në ato demonstrata mori pjesë edhe vëllai i tij, Ragipi, i cili plagoset dhe më pas dënohet me 2 muaj burgim.

Për shkak të organizimit të demonstratës në Kastriot dhe pjesëmarrjes në demonstratat e 1 dhe 2 prillit në Prishtinë , Cufa përjashtohet nga shkolla. Megjithatë, asgjë nuk mund ta ndal në rrugën që kishte nisur.

Përkundër vështirësive arrin ta përfundon me sukses shkollën e mesme në Kastriot. Bashkëpunon ngushtë me atdhetarë të tjerë në përgatitjen dhe shpërndarjen e materiale të ndryshme propagandistike në popull. Në këto materiale shpjegohej gjendja e rëndë në të cilën jetonte populli shqiptar nën ish -Jugosllavi dhe ofronin rrugëdalje nga kjo gjendje.

Në vitin 1985 punësohet në Elektro-Ekonominë e Kosovës. Edhe pse punësohet, për asnjë çast nuk e ndërprenë aktivitetin e tij në shërbim të atdheut. Në këtë rrugë atdhetare njihet edhe me atdhetarin Fahri Fazliun, i cili bie heroikisht me 2 nëntor të vitit 1989, së bashku me shokun e tij, Afrim Zhitinë.

Këta të dy bashkëpunuan ngushtë me njëri-tjetrin. I gjeje kudo ku e kërkonte interesi i atdheut. Ishin në ballë të çdo organizimi kundër pushtuesit. Veprimtaria e tyre rritej vazhdimisht. Ata bashkëpunuan edhe me shumë veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare. Janë të shumta takimet e tyre me këta veprimtarë. Ishin aktiv në organizimin e demonstratave dhe grevave të vitit 1988-1989.

Mbanin gjallë demonstruesit me frymën e qëndresës dhe sakrificës. Ishin të bindur thellë se rruga e tyre kërkonte edhe sakrificën më sublime – jetën e tyre. Ishin të vendosur dhe të gatshëm ta jepnin atë në çdo rast. Rënien e Fahriut e përjeton shumë rëndë. Mirëpo, rënia e Fahriut në altarin e lirisë, atë nuk e ligështoi aspak. Përkundrazi. Këtë dhimbje e ktheu në forcë, për ta vazhduar edhe më fuqishëm rrugën drejt lirisë.

Në këtë rrugë do të bashkëpunojë edhe me atdhetarin tjetër të çështjes kombëtare, Bahri Fazliun, i cili bie dëshmor në maj të vitit 1998.

Cufa radhitet në radhët e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës si anëtar i Këshillit Rajonal të Prishtinës. Punon pa ndërprerë në përgatitjen dhe organizimin e popullit për luftë të armatosur,e kuptonte drejt programin e LKÇK-së Lufta e armatosur kundër pushtuesit kishte mbetur rrugë e vetme e zgjidhjes së çështjes së pazgjidhur kombëtare,Cufa ishte një njeri i urtë, gjakftohtë, trim dhe sypatrembur.

Nuk fliste shumë, por punonte me këmbëngulje e guxim për ta çuar çështjen përpara. Fjalën e shoqëronte gjithmonë me vepër. Angazhohet në sigurimin e armëve për luftën e armatosur. Ishte ndër ushtarët e parë të UÇK-së.

Veprimtaria e tij në kuadër të UÇK-së ishte e gjithanshme. Aty ku ishte rreziku më i madh, aty ishte Cufa, tamam si një uragan i pandalshëm. Kujdesej për sigurimin e armatimit, për strehimin dhe shoqërimin e shokëve ilegalë nëpër baza të ndryshme, për sigurimin e ushqimit dhe barnave për ushtarët e UÇK-së. Për shkak të punës dhe shkathtësisë së tij, emërohet përgjegjës i logjistikës në guerilen BIA, e cila simbolizonte tri inicialet e dëshmorëve të kombit: Bahri Fazliu, Ilir Konushefci dhe Agron Rrahmani.

Lufta sa vinte e po bëhej edhe më e ashpër. Cufa ishte gjithnjë në ballë të kësaj lufte. Mori pjesë në shumë aksione luftarake dhe s’u tremb asnjëherë. Ishte kudo ku e kërkonte lufta, në Prishtinë, Llap, Gollak e Karadak. Këto lëvizje i bënte në kohët më të vështira dhe me pushkë në dorë. I gatshëm të merrte pjesë në çdo aksion, sado i vështirë të ishte. Guximi i madh dhe trimëria e tij të bënin për vete. Cufa shpesh e shoqëronte dëshmorin Bahri Fazliun në emisione shumë të rëndësishëm ilegale.

Pas luftës dha një kontribut të çmuar në radhët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Gjithashtu kontribuojë edhe në shtrirjen dhe fuqizimin e LKÇK-së. Cufa ishte njeri me zemër të madhe dhe bujare. I gatshëm t’u ndihmonte kurdoherë njerëzve. La pas vetes një veprimtari të bujshme që nuk mund të përshkruhet me një fjalim të vetëm.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!

Kastriot, 4 tetor 2019

*Autori është vëllai i dy heronjve të Kosovës, Fahri e Bahri Fazliu

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prozatori Adil Olluri ka botuar një libër të ri. Ai…