KA VETËM NJË ZGJIDHJE PËR KONFLIKTIN

09 dhjetor 2022 | 16:17

Milazim KRASNIQI

Problemi i Kosovës nuk zgjidhet kurrë me përpjekje që bazohen në plane të gabueshme, sikundër që janë duke bërë drejtuesit e Kosovës e të Serbisë dhe burokratët e Brukselit. Përpjekjet e deritashme thjesht janë të dështuara dhe kurrë nuk do të ofrojnë zgjidhje të plotë e të qëndrueshme. Pra, as bashkësia e komunave serbe, as korrigjimi i kufirit, as shkëmbimi i territoreve, as bashkimi me Shqipërinë, as “marrëveshja gjithëpërfshirëse e obligueshme” nuk ofrojnë zgjidhje të plotë të konfliktit ndërmjet Kosovës e Serbisë. Mund të ofrojnë ndonjë zgjidhje parciale, sa për të larë akterët duart, por zgjidhjet e atilla do ta përkeqësonin raportin edhe më shumë në ndonjë segment tjetër në të ardhmen.

T’i shohim me radhë: 1. Formimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe, e ofron një zgjidhje parciale për serbët, por e bën shtetin disfunksional dhe i ashpërson raportet ndërmjet shqiptarëve e serbëve, deri në revanshizëm. Entiteti serb do të tërhiqte në kahen e kundërt me atë nga do të synonte të lëvizte shteti i Kosovës. Kjo për arsyen e thjesht: ajo bashkësi formohet si refuzim ndaj shtetit unitar, si opozitë ndaj shtetit. Herët e vonë, reagimi i shumicës shqiptare do të ishte i pashmangsëm, sepse do ta ndienin se mbahen peng nga pakica, e cila ka synime bllokuese, bile edhe armiqësore ndaj shtetit. Prandaj, bashkësia e komunave me shumicë serbe e me kompetenca ekzekutive, ofron një zgjidhje parciale, por e cila më vonë do të shndërrohej në tharm të konflikteve të reja ndëretnike. 2. Korrigjimi i kufirit do të ishte spastrim etnik, sepse do të shkulte me rrënjë nga vendlindjet e veta ata banorë që do të ngryseshin në një shtet e do të gdhiheshin në një shtet tjetër, i perceptuar si armiqësor ndaj tyre. Serbët e Bujanocit, fjala vjen, do të gdhinin si shtetas të Kosovës, duke u shkëputur nga Serbia. Nuk ma merr mendja se ky ndryshim do të mund të kalonte pa rebelimin e tyre, i cili mund të shndërrohej lehtë në konflikt ndëretnik. Qejfi i Rusisë do të ishte një zhvillim i tillë, sepse nga Qendra Humanitare Ruse që është aktive në Nish, në Buanoc e në gjithë Luginën e Preshevës mund të ndërhyhet edhe me bahe, e jo më me satelitët rusë. 3. Shkëmbimi i territoreve, ose “razgranicenje” sikundër e kërkon Vuçiqi, pashmangshëm do të shkaktonte luftë të armatosur, me involvimin e Rusisë (për të mbrojtur Qendrën e vet në Nish dhe resurset e Gaspromit në jug të Serbisë.) Një konflikt i tillë do të ishte “shi në kallamoq” edhe për organizata të ndryshme joshtetërore, që do të financoheshin nga shtete që e sponsorizojnë terrorizmin. Versioni i tragjedisë siriane në Kosovë në atë rast do të ishte i paevitueshëm. Në fakt, Vuçiqi këtë e ka në mendje, sado që deklaron se është për zgjidhje paqesore. 4. Bashkimi me Shqipërinë automatikisht do ta shtynte veriun e Kosovës drejt ndarjes dhe rebelimin e armatosur të serbëve në brendësi të Kosovës, gjithsesi të sponsorizuar nga Rusia dhe nga Kisha Ortodoske Serbe. 5. “Marrëveshja gjithëpërfshirëse e obligueshme” do të mundësonte një modus vivendi, pa e njohur Serbia Kosovën, po që Serbisë do t’i hapte rrugën të anëtarësohej në BE. Në atë rast Serbia do të gjendej në pozitë, që t’i revanshohej Kosovës, duke e bllokuar anëtarësimin e saj në BE. Në këtë qëndrim ajo do të ishte e mbështetur nga Rusia dhe nga pesë shtetet e BE-së, që nuk e njohin Kosovën. Marrëveshja nuk do të paraqiste obligim për shtetet, që nuk e njohin Kosovën, veçmas për Spanjën.

Me një fjalë, këto ide e plane të gabueshme, thjesht nuk ofrojnë zgjidhje të konfliktit. (Sikur ta ishin lexuar këta negociatorë dhe ndërmjetësit e tyre qoftë dhe vetëm një tekst të Karl Poperit, lidhur me procesin e mendimit logjik/ shkencor, do ta kishin kuptuar se thjesht janë duke rrahur ujë në havan. Pse? Poperi pohon se hipotezat e gabueshme, gjithmonë japin rezultatte të gabueshme, prandaj at nuk duhet të mbahen, ato duhet të eliminohen dhe të mbahet vetëm ajo sprovë që ofron zgjidhje.)

Atëherë a ka ndonjë zgjidhje, a ka ndonjë sprovë që ofron zgjidhje në rastin e Kosovës? Në rastin e Kosovës ka vetëm një zgjidhje: anëtarësimi i përshpejtuar dhe në pako i Kosovës dhe i Serbisë në Bashkimin Evropian, do të mundësonte zgjidhjen graduale e problemit brenda BE-së, me standardet e me procedurat e BE-së. Kurrqysh ndryshe. Por BE-ja këtë mundësi të vetme, nuk e fut fare në hesap. Meqë nuk e pranon, kjo definitivisht do të thotë se Bashkimi Evropian nuk don zgjidhje të plotë e të qëndrueshme të problemit. Meqë Bashkimi Evropian nuk e don zgjidhjen e plotë e të qëndrueshme për konfiktin ndërmjet Kosovës e Serbisë, atëherë as mos të ankohet si fëmijë çaramanë për ripenetrimin e Rusisë në Ballkan, pasi vetë Bashkimi Evropian ia ka lënë hapësirën e lirë për penetrim e mbase edhe për ta rikthyer influencën dominuese që kishte dikur Rusia pansllaviste në këtë rajon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I dërguari special i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel…