Kadri Kastrati: Ushtria nuk duhet të mbetet peng e Listës Serbe

20 maj 2018 | 13:05

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Kosova është duke humbur kohë sa i përket formimit të ushtrisë.

Ai ka kërkuar nga institucionet e vendit ta bindin faktorin ndërkombëtar se ushtria nuk mund të mbetet peng e Listës Serbe dhe Beogradit.

Sipas Kastratit, nëse jo me ndryshime kushtetuese, ushtria duhet të bëhet përmes ligjit. “Në aspektin ligjor mund të bëhet. Kushtetuta kërkon të ndryshohet emri i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, kurse përmes ligjit nuk mund t’i ndryshohet emri FSK-së, por mund t’i jepet mandati ushtarak. Përmes ndryshimit të ligjit mund t’i ndërrohet misioni FSK-së. Pastaj në bazë të misionit FSK-ja mund të pajiset me armatimin që është paraparë në bazë të projektit për Forca të Armatosura. Qeveria e Kosovës duhet ta ngarkojë ministrin e FSK-së, komandantin e FSK-së dhe gjeneralë të nivelit të lartë që të shkojnë në Bruksel për t’u sqaruar ambasadorëve të NATO-s se transformimi i FSK-së nuk e rrezikon askënd. Pra, formimi i ushtrisë së Kosovës do të jetë në dobi të rajonit”, ka deklaruar Kastrati, duke shtuar se pas ndryshimit të misionit, FSK-së i hapet rruga për anëtarësim në NATO.

“Pas anëtarësimit në NATO, FSK-ja mund të eksportojë siguri duke marrë pjesë në operacione të ndryshme jashtë vendit. Qeveria duhet të bëjë më shumë përpjekje për ta bindur faktorin ndërkombëtar që Kosova nuk mund të mbesë peng përgjithmonë i komunitetit serb i cili është i dirigjuar nga Beogradi dhe ata nuk duan që Kosova të ketë ushtri”, ka theksuar Kastrati.

Duke folur për reagimin e ShBA-së, se transformimi i FSK-së duhet të ndodhë vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese, ai ka thënë se kurrë asnjë shtet nuk do të thotë bëni çfarë të doni dhe, sipas Kastratit, formimi i ushtrisë është e drejtë e shtetit të Kosovës.

“Formimi i ushtrisë është e drejtë e jona. Duhet të këmbëngulim se jemi shtet i pavarur, sovran dhe kemi të drejtë ta formojmë ushtrinë. Nuk ka vend tjetër përveç Kosovës ku komuniteti serb gëzon më shumë të drejta dhe i cili nuk dëshiron që Kosova të ketë ushtri. Mënyra se si sillet komuniteti serb në Kosovë tregon se kurrë nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese për formimin e ushtrisë. Prandaj, nuk mund të mbesim peng i komunitetit serb. Duhet t’i tregojmë faktorit ndërkombëtar se kemi pritur që dhjetë vjet, prej shpalljes së pavarësisë dhe Kosova nuk mund të pres më tepër. Është e qartë se ushtria e Kosovës nuk e rrezikon askënd, më së paku komunitetin serb dhe rajonin. Ushtria e Kosovës do të jetë në dobi të rajonit në të ardhmen”, është shprehur Kastrati.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi kryesor i Dritës, Kastriot Rexha është i bindur se…