Kah po shkon bota

04 janar 2021 | 13:56

Dr. Edita Tahiri

Ish-zëvendëskryeministre dhe kryenegociatore

Pandemia globale vuri në sprovë gjithë botën. Pasojat ishin dhe mbeten shumë të rënda. Humbja e madhe e jetëve të njerëzve dhe humbjet ekonomike e varfëruan botën edhe më shumë. Sidomos vendet më pak të zhvilluara e pësuan më keq. Shqetësimi kryesor ishte shëndeti i popullsisë, i cili nxori në pah dallimet në cilësinë e sistemeve shëndetësore të shteteve. Sigurimi i oksigjenit u bë parësor për pacientët, ndërsa mjekët po bënin një betejë titanike kundrejt këtij armiku natyror. Oksigjenin e kemi pasur si të qenë nga natyra. Pandemia Covid-19 na e rizbuloi se oksigjeni natyror mund të mos jetë i mjaftueshëm ndaj krizave natyrore.
Kjo krizë globale, natyrore apo e sajuar, varësisht nga teoritë e konspiracionit, na bëri të mendojmë edhe për oksigjenin politik që i mungon botës. Ndoshta ishte e papritur, por nisën dhe u rinisën konflikte të reja nëpër botë, ranë qeveri në disa vende, ndërkohë që hegjemonistët e sëmurë nxituan të armatosen për t’i rivendosur dominimet e humbura pas Luftës së Ftohtë. Derisa pandemia izoloi qytetarët me qëllime kujdesi shëndetësor, qeveritë e shfrytëzuan pandeminë për t’i mbuluar dështimet e qeverisjes. Po një gjë nuk arriti të mbulohej, ishte varfërimi i qytetarëve, humbja marramendëse e vendeve të punës dhe rritja e dhunës ndaj grave. Këto humbje i ndjeu popullata, ndërsa humbnin edhe të dashurit e tyre.
Një pyetje që besoj sillet në mendjen e njerëzve është se “kah po shkon bota”. Kjo pyetje është edhe në mendjen time, prandaj vendosa të shkruaj.
Po flitet për një “normalitet të ri”, por pa ndonjë parashikim të argumentuar se çfarë do të ishte. Derisa vaksina kundër pandemisë u zbulua, tashmë doli një variant i ri i virusit Covid-19, ndaj të cilit nuk ende dihet a mjafton vaksina e zbuluar.
Sekretari gjeneral i OKB-së, Antonio Guterres, në fillim të vitit prezantoi katër kërcënime të afërta që rrezikojnë progresin e shekullit 21 dhe mundësitë e shekullit 21. Sipas tij, kërcënimi i parë vjen në formën e tensioneve më të larta globale gjeostrategjike që kemi parë në vite, kërcënimi i dytë është kriza klimatike, kërcënimi i tretë është mosbesimi global në rritje dhe i katërti është ana e errët e botës digjitale. Pandemia u bë e pesta, por më e rrezikshmja.
Ndaj krizave botërore të rrezikut të lartë përgjigjen duhet ta japë politika sepse, pikë së pari, politika qeverisë botën. Njësoj politika qeverisë shtetet dhe qytetarët.
Një oksigjen politik është i domosdoshëm për ta këndellur mendjen e politikanëve dhe për t’i shmangur pasojat dramatike që priten. Oksigjeni politik nuk është një metaforë e thjeshtë, është një domosdoshmëri për të shmangur një dramë botërore.
Një oksigjen politik u duhet në radhë të parë marrëdhënieve ndërkombëtare, që kërkon një rikthim në politikat e bashkëpunimit shumëpalësh. Kjo sepse politikat e jashtme izolacioniste nuk mund t’i zgjidhin krizat botërore, as krizën shëndetësore të goditur nga pandemia, as të varfërisë, as krizën kibernetike dhe as krizën klimatike që, sipas shkencëtarëve, mund të jetë me pasoja apokaliptike.
Ndërsa sa iu takon tensioneve globale gjeostrategjike që janë në rritje, oksigjeni politik i duhet boshtit strategjik perëndimor për ta ruajtur doktrinën gjeopolitike perëndimore, e cila po kërcënohet qartë nga ambiciet gjeopolitike të aktorëve joperëndimorë. Një bosht strategjik në këtë kontekst është forcimi i marrëdhënieve euroatlantike që përjetoji rënie në periudhën e kaluar. Blloku euroatlantik është strategjik për ta mbrojtur doktrinën gjeopolitike euro-atlantike (e njohur si Doktrina e Heartlandit) në shërbim të paqes dhe demokracisë në botë. Bashkësia euroatlantike në krye me ShBA-në dhe partnerët kryesorë evropianë si Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe duhet ta pengojnë Rusinë dhe lojën e saj gjeopolitike të bazuar në doktrinën e Euroazisë. Rusia përmes Serbisë po tenton këtë skenar gjeopolitik në Ballkan ngaqë dihet se Ballkani, përkatësisht Evropa Juglindore, është zemra e doktrinës perëndimore. Siç thotë themeluesi i doktrinës gjeopolitike të Heartlandit, Harold Mackinder, “Kush sundon Evropën Lindore komandon Heartlandin, kush sundon Heartlandin komandon ishullin botëror që sundon botën”. Skenarët ruso-serbë dolën përsëri në sipërfaqe vitet e fundit me lojërat e rrezikshme për ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë, me tentimet e dështuara të Serbisë për ta marrë veriun e Kosovës, në kuadër të iluzioneve të saj për të krijuar “Serbinë e madhe”. Kosova e mposhti këtë skenar të rrezikshëm me përkrahjen perëndimore ku Gjermania pati rolin kryesor për mbylljen e saj definitive. Tani kur zgjedhjet në ShBA sollën lidershipin e ri në krye me presidentin Joe Biden, pritjet janë optimiste për një forcim të bllokut euro-atlantik, forcimin e NATO-s dhe arritjen e një paqe përfundimtare në Ballkan, e cila fillon me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë në kufijtë aktualë dhe përfundon me ndaljen e ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë, Bosnje dhe Malin e Zi dhe integrimin e shpejtë të Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian dhe NATO, hiq Serbisë që është deklaruar kundër anëtarësimit në NATO.
Në kontekstin evropian, Bashkimi Evropian duhet të bëjë një kthesë gjeostrategjike ndaj Ballkanit. Qasja e deritashme nuk ka dhënë rezultatet e duhura. Derisa transformimet demokratike dhe evropiane janë një kusht për vendet e Ballkanit, transformimet e politikave të BE-së për ta përfshirë qasjen gjeopolitike ndaj Ballkanit është një kusht për vetë BE-në për ta realizuar projektin politik të një “Evrope të tërë dhe në paqe”, ku vendet e Ballkanit duhet të integrohen shpejt. Kaluan mbi njëzetë vjet nga fundi i luftërave në Ballkan, ndërkaq vetëm dy shtete (Sllovenia dhe Kroacia) u bënë anëtare të BE-së. Sipas këtij ritmi të “breshkës”, do ta quaja, a thua duhen edhe kaq vite për të integruar pesë vendet e tjera. I njëjti ritëm ka përcjell edhe dialogun e Brukselit, po bisedohet gati dhjetë vjet dhe fundi nuk po shihet. Ndërkohë që gjatë këtij viti nuk u shënua ndonjë përparim në këtë drejtim. Nëse aleatët tanë presin një këndellje të Serbisë për të pranuar fajin për gjenocidet e bëra, apo për ta njohur Kosovën, një gjë duhet ta dinë se Serbia nuk e ka mendjen as te paqja as te pandemia. Serbia e ka mendjen si të armatoset sa më shumë nga Rusia dhe si ta ridominojë Ballkanin, si vazhdimësi e politikave hegjemoniste të Millosheviqit e klerit fetar serb, duke punuar hapur kundër interesave gjeostrategjike euroamerikane.
Në kontekstin kombëtar shqiptar duhet rritur bashkëpunimin strategjik për të përballuar së bashku tensionet gjeostrategjike botërore. Ndonëse tash jemi dy shtete, tokën shqiptare e kemi të përbashkët ashtu si edhe kombin shqiptar. Kosova dhe Shqipëria kanë obligime kombëtare për ta bashkërenditur politikën e jashtme në favor të gjeopolitikës perëndimore. Dëshiroj t’i lë në të kaluarën disa gabime historike që ndodhën pak vite më parë, ku disa liderë këndej dhe andej kufirit humbën busullën gjeopolitike duke bërë angazhime të gabueshme për ide të rrezikshme për prekje kufijsh. Besoj e kanë marrë mësimin dhe janë këndellur.
Në kontekstin e Kosovës, pavarësisht prej sfidave që kaluam këtë vit, me pandeminë shëndetësore e politike, të rënies së dy qeverive, dhe me Gjykatën Speciale, duhet ta rimarrim veten në planin strategjik dhe gjeopolitik. Jo vetëm që duhet t’i mbrojmë vlerat e luftës për liri dhe pavarësi, duhet të jemi të zotët ta zhvillojmë vendin në planin ekonomik dhe ligjor, sepse ndikimet në sferën gjeopolitikë varen nga fuqia e shtetit. Bota udhëhiqet me teorinë e realizmit në marrëdhënie ndërkombëtare, prandaj fuqia e shtetit përcakton ndikimin tonë në këto rrjedha. Duhet të kemi parasysh se kah po shkon bota, për të ditur kah do të shkojmë ne.

Shkruar enkas për “Epokën e re”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli 32-vjeçar i basketbollit amerikan, Stephen Curry ishte magjik mbrëmjen…