Kamenica, Gjilani dhe Vitia mbështetin financiarisht strehimoren “Liria”

26 maj 2021 | 11:56

Komuna e Kamenicës në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit dhe të Vitisë, si dhe me iniciativë të OSBE-së do të mbështesin financiarisht strehimoren “Liria”.

Strehimorja “Liria” është institucion për mbrojtjen e jetës dhe mirëqenies së viktimave të dhunës në familje.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë se është tejet i lumtur që po ndërmerren iniciativa të tilla, për fuqizimin dhe mbështetjen e institucioneve të tilla.

“Tejet i lumtur që me iniciativë të OSBE-së dhe bashkëpunim mes Komunës së Gjilanit dhe të Vitisë, kemi marrë përsipër mbështetjen e strehimores “Liria”, një institucion tejet me rëndësi për mbrojtjen e jetës dhe mirëqenies së viktimave të dhunës në familje. Vlera të cilën do ta mbështesim si komunë është 4 mijë euro, dhe jam shumë krenar që Kamenica është pjesë e kësaj iniciative”, ka thënë Kastrati.

Më tutje, ai ka thënë se është shumë shqetësuese rritja e numrit të rasteve të dhunës në familje.

“Kohëve të fundit kemi pasur rritje të numrit të rasteve të dhunës në familje, dhunës ndaj grave. Një trend i tillë është shqetësues. Izolimi, stresi, pasiguria ekonomike nuk duhet ta përmbysin solidaritetin, tolerancën e dashurinë që e kemi, prandaj të gjithë së bashku duhet të vazhdojmë përkushtimin për barazi e drejtësi”, ka thënë Kastrati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është caktuar masa e burgut për burrin që hyri i…