Kandidati i PDK-së për kryetar të Istogut: Gjysma e drejtorive do të udhëhiqen nga gratë
Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Istogut, Ali Nimanaj, është duke vazhduar aktivitetet e tij zgjedhore me qytetar dhe biznese në këtë komunë.
Nimanaj dje ka vizituar fshatin Trubohoc, ku sipas tij, kulturat agrare janë dega kryesore e këtij lokaliteti.
“Fitimet që gjenerojnë nga puna që bëjnë janë të mjaftueshme për një jetesë mbi mesatare. Por, kjo sezonë të gjitha bizneset i ka gjetur ndryshe, për shkak të pandemisë. Prandaj, në përpilimin e programit për Bujqësi ne e kemi paraparë edhe përkrahjen e bizneseve të goditura nga pandemia”, ka thënë Nimanaj.
Ai ka bërë me dije se në qeverisjen e tij gjysma e drejtorive do të udhëhiqen nga gratë.
“Me qeverisjen tonë, gjysma e drejtorive komunale do të udhëhiqen nga gratë”, ka premtuar kandidati i PDK-së për kryetar të Istogut, Ali Nimanaj.



