Kanë ndërruar jetë në Zvicër veprimtarët e çështjes kombëtare, Sali Biçku dhe Agron Bajrami

13 mars 2018 | 09:13

Pas një sëmundjeje të rëndë dhe të gjatë, dje kanë ndërruar jetë dy nga veprimtarët më të dalluar të çlirimit të Kosovës dhe përgjithësisht çështjes kombëtare Agron Bajrami dhe Sali Biçku.

Sali Biçku u lind më 28.03.1952 në Hogosht të Dardanës, ish i burgosur politik, si pjesëtar i grupit “Albanikos”, të drejtuar nga veprimtari i dalluar Emin Krasniqi, burgoset në vitin 1983 së bashku me 10 bashkëveprimtarë të tjerë dhe dënohet me 5 vjet burg.

Për shkak të ndjekjes nga organet e pushtetit okupator serb shkaku i veprimtarisë patriotike, Sali Biçku strehohet në Basel të Zvicrës, ku i bashkëngjitet veprimtarisë së organizuar kombëtare të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), posaçërisht mbështetjes së fuqishme të UÇK-së dhe luftës së saj çlirimtare. Gjatë gjithë kësaj kohe, Salihu do të shquhet për përkushtimin e pa reshtur në shërbim të jetësimit të çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.

Agron Bajrami ka lindur më 18 janar 1964 në Prishtinë. Në Kosovë ka qenë anëtar i Ansamblit të Valleve “Shota”, ndërsa në Aarau të Zvicrës e ka themeluar në vitin 1993 Shkollën e Vallëzimit Shqip “Shota”, të cilën edhe e ka udhëhequr. Ky ansambël, përveç programeve të pasura të shfaqura para publikut shqiptar si dhe përgatitjes së gjeneratave të reja të valltarëve të valles shqipe, përmes prezantimit para opinionit zviceran ka luajtur rolin e vërtetë të ambasadorit të kulturës shqiptare.

Agron Bajrami ishte njëkohësisht njëri nga veprimtarët e përkushtuar të çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Duke qenë pjesëtar i LPK-së,u dallua për punën dhe përkushtimin si para ashtu dhe pas daljes në skenë të UÇK-së, që lufta në Kosovë të masovizohej dhe përkrahej me çdo mjet.

Siç bëjnë të ditur familjet e të ndjerëve, për ditën dhe kohën e varrimit, opinioni do të njoftohet me kohë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Karl Erjavec do të qëndrojë…