Kaos në Kaliforni, pas stuhisë “Hilary”, shteti amerikan u godit edhe nga tërmeti

21 gusht 2023 | 08:35

Shteti amerikan i Kalifornisë u godit nga një tërmet me magnitudë 5.1 ballë të shkallës së Rihterit, i cili përkoi me ardhjen e stuhisë tropikale Hilary.

Epiqendra e tërmetit ndodhej në veri të Los Angelesit dhe lëkundjet u ndjenë nga shumë njerëz në pjesën jugore të atij shteti federal amerikan.

Kjo erdhi ndërsa banorët po përgatiteshin për shi të dendur dhe përmbytje të mundshme nga stuhia tropikale.

Tërmeti u regjistrua në orën 14:41 me orën lokale dhe, megjithëse banorët ndjenë dridhje, aktualisht nuk ka raportime për dëme apo të lënduar, transmeton Telegrafi.

Sistemi i paralajmërimit amerikan raportoi se nuk kishte rrezik për cunami pas këtij tërmeti, raporton cnn.

Stuhia tropikale Hilary arriti në Kaliforni pasi goditi tashmë gadishullin meksikan të Baja California. Shiu është intensiv ndërsa stuhia po lëviz drejt jugperëndimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ekspertët paralajmëruan për mundësinë e përmbytjeve katastrofike që mund të jenë të rrezikshme për popullatën.

Në gadishullin Baja California në Meksikë, përmbytjet e shpejta shkaktuan vdekjen e një personi. Qytetet u përfshinë nga përmbytjet që shkatërruan rrugët dhe njerëzit u evakuuan në strehimore me ndihmën e ushtrisë.

Stuhia tropikale Hilary gjithashtu shkaktoi ndërprerjen e udhëtimeve ajrore dhe anulimin e ngjarjeve sportive përpara se të arrinte në SHBA.

Autoritetet u bënë thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të qëndrojnë në shtëpi derisa të kalojë stuhia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liderët nga Ballkani dhe zyrtarët më të lartë të Bashkimit…