Kaosi dhe ikja nga përgjegjësia politike

12 gusht 2018 | 11:45

Blerim Canaj

Thënia e Otto Eduard Leopold Fürst von Bismarck, se “politika është arti i së mundshmes”, duket të jetë e saktë. Këtë e vërteton fakti se neve si popull, si një “mi laboratori”, na ka prekur “e mundshmja” dhe kemi ndjerë atë dhe për ne ajo më nuk është diçka e panjohur.

Që në fundin e viteve 1980 dhe në fillimin e viteve 1990, kur edhe pjesa më pro jugosllave e intelektualëve shqiptarë në Kosovë, ata që besonin Jugosllavinë dhe në Jugosllavinë filluan të kuptojnë dhe pranojnë konceptin e ri nacional, madje edhe të bëhen pjesë e krijimit të koncepteve të reja nacionale, si tërësi shqiptarët janë ballafaquar me artin e së mundshmes. Por, gjithmonë me një të metë: Gjithmonë në përcjellje të kombeve të tjera, pas të gjitha kombeve të tjera dhe gjithmonë në defensivë. Madje edhe humbja e besimit në Jugosllavinë pati ndodhur vetëm kur u shfaqën hapur konceptet nacionale serbe të drejtuara kryesisht kundër shqiptarëve dhe kur patjetër duhej mbrojtja, për çka edhe filluan të promovohen konceptet nacionale shqiptare. Krejt kjo nga mungesa e guximit të ballafaqimit me të “mundshmen”.

Ballafaqimi me të mundshmen ka ndodhur vetëm kur shqiptarët janë mbështetur për muri pa rrugëdalje tjetër. Dhe atëherë kur ballafaqimi ishte domosdoshmëri, gjithmonë është krijuar një grup i caktuar i cili ka qëndruar mënjanë duke i ikur përgjegjësisë politike me dëshirën që ai që kishte marrë guximin e ballafaqimit të humbë në këtë ballafaqim. Humbjes së ballafaqimit madje i ndihmojnë duke kritikuar ballafaquesin dhe duke e shpallur apriori tradhtarë. Pra, ne nuk jemi mësuar të kemi kritikë të përcjellë me ide, por gjithmonë një kritikë e përcjellë me shumë ofendim. Tekefundit, inatet politike në mes të shqiptarëve nuk janë diçka e re që kanë lindur në kohën tonë, prandaj kjo edhe nuk do duhej të jetë brengë, por brenga mbetet tek të mosmësuarit nga sprova.

Krijimi i rivaliteteve politike në çështjet vendimtare ka bërë që shqiptarët kurrë të mos mund të punojnë në grup, të mos mund të shkëmbejnë idetë. Duke vendosur në rend të parë politikat grupore të aktorëve partiakë dhe duke mos menduar në një interes më të gjerë, mungesa e dijes së koordinimit dhe funksionimit si grup ka qenë – dhe si duket edhe më tutje mbetet – një nga mangësitë e mëdha. Dëshira për ta marrë epitetin e të parit, pa pasur parasysh aftësitë negociuese, ka çuar edhe në verbërim të aktorëve të caktuar duke ndikuar shumë në masën në drejtim të mospërkrahjes së liderëve negociues dhe me këtë duke shtyrë kështu dobësimin e tyre në tavolinat negociuese e kështu duke ndihmuar Serbinë që ajo në skenën ndërkombëtare të paraqitet si viktimë e jo si agresor. E nëse shikohet ecuria në dhjetë vjetët e fundit, mund të thuhet lirshëm se politikanët serbë këtë e kanë bërë për mrekulli. Sot ajo ka arritur që përkundër faktit të vrasjeve masive, të paraqitet dhe nga shumë shtete edhe të shihet si viktimë duke harruar epitetin e agresorit.

Edhe sot, që nga hedhja e idesë së korrigjimit të kufijve me Serbinë, vërehet e njëjta gjë. Mjafton një sy në rrjetet sociale, ku politikbërësit janë mjaft aktivë dhe vëren kaosin e ideve, mendimeve dhe shprehjeve denigruese që lart nga pretendentët e froneve e deri poshtë te qytetari përkrahës. Madje në stilin “për inat të nuses e mbys djalin” direkt apo indirekt vërehen tendencat e mbledhjes së poenëve politikë, por jo ndjenja e përkrahjes për zgjidhjen më të mirë dhe forcimin në tavolinën negociuese. Është e qartë se udhëheqësi gjithmonë ka për obligim që vendin ta drejtojë në fitore, por suksesi i udhëheqësit gjithmonë varet nga përkrahja që ka.

Tani nuk e kam fjalën për përkrahjen nga votuesi, por nga spektri politik, duke i futur këtu edhe pjesëtaret e shoqërisë civile, madje edhe pseudoanalistët e politikës. Kur flas për përkrahjen, mendoj në përkrahje me ide, por jo duke shkaktuar kaos politik. Ikja nga përgjegjësia politike e secilit individ në këtë rast rezulton me konsekuencë që do të bartim jo vetëm ne, por tërë gjeneratat pas nesh. Tekefundit, kjo na ka ndodhur edhe gjatë luftës: Sot jemi viktima të ndarjes së taborëve, të mosballafaqimit, madje edhe mohimit të realitetit qysh në atë periudhë. Shtet kemi po aq sa kemi luftuar për të, as më shumë dhe as më pak. Shtetin e mbajmë po aq sa unifikohemi në identifikimin me të dhe luftojmë për të.

Në momentin kur popullata e shtetit nuk identifikohet me shtetin, shteti është i paraprirë për shkatërrim, thotë historiani gjerman Holm Sundhausen në librin e tij “Jugosllavia dhe shtetet pasardhëse të saj”. E identifikimin me shtetin e promovojmë varësisht nga ajo se sa jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi politike nga i tërë spektri politik. E pyetjet që në Kosovë ende kërkojnë përgjigje janë: Sa ka ndihmuar spektri politik – gjithnjë duke aluduar në tërë spektrin – në identifikimin e popullatës me shtetin? Sa kemi mundur të krijojmë një mit politik shtetëror?

Përmendja e mitit politik, mund të duket e tepruar, por nëse shikojmë ndërtimin e të gjitha shteteve, atëherë vërejmë që shumica e tyre – në mos jo të gjitha – zhvillojnë ideologjitë shtetërore pikërisht mbi bazën e këtyre miteve politike. E në Kosovë, për hir të poenëve politikë kemi shkatërruar dhe denigruar figurat që do të mund të ishin mitike, madje bazë e mitit politik që nga periudha e politikës paqësore e fundit të shekullit të kaluar e deri tek udhëheqësit e luftës. Mjafton të pyesim një tinejxher kosovar se sa ai di për luftën e fundit në Kosovë dhe ne e vërejmë këtë si më së miri. Të mos flasim për shqiptarët në Shqipëri, sepse pastaj do të jetë tejet e çuditshme dhe dëshpëruese kur një intelektual/e gati në të 40-tat e tij/saj të flet për atë se si në Shqipëri nuk kishin ide për Kosovën.

Aktualisht ballafaqohemi me idenë e korrigjimit të kufijve dhe disa aktorë politikë bëhen sikur janë të befasuar nga kjo ide si pjesë negociuese. E, në fakt, këtu nuk ka asgjë për t’u befasuar sepse thjesht negociatat gjithmonë janë rrjedhë që duhet të ndodhin pas luftërave dhe me të cilat provohet të mbyllen çështjet që nuk kemi mundur t’i mbyllim në luftë. Përparësia është që kemi një “ballafaques” me përvojë që nga promovimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke fituar përkrahjen ndërkombëtare në rolin e udhëheqësit politik, pastaj si kryenegociator në Rambuje u bind Bota për nënshtrimin e Serbisë, por edhe si shef Qeverie Kosova pas shumë vitesh shpalli pavarësinë. A ishin rastësi këto dhe rastësi pas rastësie shumë “rastësi” të tjera?! Unë nuk besoj në rastësi.

(Autori është pjesë e diplomacisë së Kosovës. Pikëpamjet në këtë tekst janë vetëm të tij)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, me rastin e shënimit…