Kapet në Morinë trafikanti turk i drogës i shpallur në kërkim ndërkombëtar

25 tetor 2020 | 12:09

Një trafikant droge turk i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania është kapur në Pikën e kalimit kufitar të Morinës.

“Morinë, Kukës/ Policia Kufitare kapi dhe ka vënë në pranga një shtetas turk të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania. Arrestimi provizor i tij u bë në bashkëpunim me Interpol Tiranën, me qëllim ekstradimin në shtetin gjerman. Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar: I.E, 42 vjeç, banues në Turqi”, ka njoftuar Policia e Shqipërisë.

Sipas këtij njoftimi, gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas rezultoi person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani.

“Autoritetet Gjyqësore Gjermane,  kanë caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”,  për veprën penale “Trafik droge”, parashikuar nga Kodi Penal i Gjermanisë. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Kukës bënë arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin e tij drejt Gjermanisë”, ka njoftuar policia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besa Famgas e ka fituar thellë ndeshjen e xhiros së…