Kaqusha Jashari: Nga 9 maji PSD-në e drejton Grupi i Deputetëve të Pavarur

04 maj 2018 | 17:00

Grupi i Deputetëve të Pavarur (GDP) i cili përbëhet nga 12 deputetë nga sot janë pjesë e Partisë Social Demokrate (PSD) e cila drejtohet nga Kaqusha Jashari, në bazë të një marrëveshjeje që është bërë mes tyre.

Kryetarja aktuale e Partisë Social Demokrate, Kaqusha Jashari, ka bërë me dije për “Kallxo.com” se nga 9 maji 2018, ky subjekt politik do të udhëhiqet nga Grupi i Deputetëve të Pavarur.

“Partia Socialdemokrate vazhdon dhe më tutje dhe do ta mbajë kuvendin e saj më 9 maj. Në Kuvend do të zgjedhim organet e reja, Kryesinë dhe Këshillin drejtues dhe kryetarin. Jemi marrë vesh që për kryesi dhe Këshillin drejtues ta ndajmë përbashkët. Ne kemi më pak numër se ata, ndërsa për kryetarin ne do ta përkrahim që të jetë prej tyre”, ka thënë Jashari.

Jashari ka pohuar se përmes kësaj marrëveshjeje, 12 deputetët e Grupit të Deputetëve të Pavarur i janë bashkuar sot Partisë Social Demokrate të Kosovës.

“Ata janë pjesë e Partisë Socialdemokrate. Ata janë bashkuar me ne. Ne nuk e kemi pasur marrëveshje të vrazhdë, por kemi pasur marrëveshje të përbashkët. Organet po ashtu janë të përbashkëta, prej strukturës sonë kanë që janë me vite në parti. Nuk ka qenë reale që kryetarin me pas ne, sepse ne në parti jemi pak në moshë. Andaj ka ardhur një rast i mirë të fuqizohet partia. Ne vazhdojmë me këtë emër, ne vazhdojmë punën. Unë kam shumë besim në ta”, ka deklaruar Jashari.

Ajo ka treguar se PSDK-ja është pajtuar që ta udhëheqin më të rinjtë e bashkuar në këtë subjekt.

“Partia ka mbetur Socialdemokrate por po pajtohemi që kryetari të jetë prej Grupit të Deputetëve të Pavarur sepse janë të rinj, më të fuqishëm dhe më të lëvizshëm se na”, është shprehur Kaqusha Jashari.

Sipas Jasharit, deklarata e parimeve e cila është publikuar nga Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani është plotësisht e njëjta me atë të subjektit politik PSD.

“Ata kanë marrë parimet e socialdemokracisë. Edhe veprimi i tyre në Kuvend është kah socialdemokracia, sepse është për ekonomi, çështje sociale. Ata kanë studiuar programin tonë, statutin tonë dhe janë pajtuar me krejt ato”, ka thënë Jashari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të premten i është dhënë lamtumira e fundit policit Malsor…