Kastrati: Nuk lejoj që një nxënës të shkojë në shkollë pa shokë klase

23 shtator 2020 | 14:41

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e radhës, nën drejtimin e nënkryetarit Jahja Koka, në të cilën për të folur lidhur me reformën në arsim në Komunën e Kamenicës, të ftuar ishin ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj dhe kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Para anëtarëve të komisionit, ministri Ramë Likaj ka kërkuar nga kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, që të shtyhet reforma në arsim për një vit në mënyrë që nxënësit të ndjekin mësimet dhe të mos mbesin jashtë procesit mësimor.

“Kërkesa ime e vazhdueshme ka qenë që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për më se 400 nxënës të cilët nuk vijojnë mësimin edhe pse viti shkollor ka filluar në të gjitha komunat e Kosovës. Kam kërkuar me mirëkuptim që të shtyhet kjo lloj reforme, meqenëse jemi në kohë pandemie. Çështje tjetër shqetësuese është edhe aspekti ekonomik si dhe kushtet e vështira atmosferike, në të cilët nxënësit duhet udhëtuar”, ka thënë ministri Likaj.

Ai po ashtu u bëri thirrje prindërve dhe kryetarit Kastrati që të shtyhet reforma dhe në vitin 2021.

Ndërkaq, i pari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë  se komuna që ai drejton ka specifika më shumë se komunat e tjera sa i përket arsimit, kjo pasi që shtrihet në skaj të Kosovës dhe se trendi i largimit të nxënësve është rritur në 40 për qind brenda 10 vjetësh.

Kastrati para anëtarëve të komisionit ka thënë se bëhet fjalë për 25 klasa të cilat kanë nga vetëm 1 nxënës, e në shtatë shkolla ka më pak se 5 nxënës.

Ai tha se çdokush  që do ta kuptonte drejt këtë situatë, do të ishte në favor të kësaj iniciative, të cilën siç tha e dinë që nuk është më popullorja.

“Shpresoj të kuptohem drejt dhe të kem vëmendjen tuaj dhe si kryetar i Kamenicës, jam i vetëdijshëm se ky nuk është vendimi më popullor që mund të merrej, por  të nderuar anëtarë të komisionit, raporti nuk është vetëm procedural, është realizuar në komunikim me ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë, e gjithë kjo për ta mbrojtur nxënësit që të mos e lëmë në mëshirën e fati, e të mos ketë nxënës që shkon në shkollë dhe në klasë nuk ka as shokë e as shoqe”, tha Kastrati.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka mbajtur Kuvendin e…