Kastrioti fiton edhe derbin me Prishtinën

02 mars 2019 | 23:41

Kastrioti ka ruajtur epërsinë prej dy pikëve në krye të tabelës, duke e fituar derbin e xhiros së 18-të të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt).

Skuadra ferizajase e mposhti të shtunën Prishtinën në kryeqytet me rezultat 24:20. Pas pjesës së parë Kastrioti kishte plot gjashtë gola epërsi, 14:8.

Kështu Kastrioti pjesën e rregullt të garave e përfundon në vendin e parë me 34 pikë. 32 pikë i ka Besa Famgas, ndërsa Prishtina renditet e treta me 28 pikë. Gara për titull do të vazhdojë tani në Superligën A, ku gjashtë skuadrat e para do të luajnë edhe dhjetë xhiro tjera, e më pas edhe në plejof.

Në derbin mes Prishtinës e Kastriotit, mysafirët në pjesën e parë ishin vazhdimisht në epërsi që në minutat e fundit u rrit deri në gjashtë gola. Ferizajasit e mbajtën epërsinë edhe në pjesën e dytë, ndërsa Prishtina u afrua deri në dy gola në minutën e 55-të (22:20). Por ferizajasit shënuan edhe dy gola tjerë për të mbyllur edhe një derbi në të mirë të tyre. D. Terziqi me 9 gola ishte më efikasi te Kastrioti. Nga 4 gola i shënuan P. Prekazi e P. Rajatoski. A. Bajqinovci ishte më efikasi te skuadra humbëse me 7 gola.

Java e 18-të është e fundit e pjesës së rregullt të kampionatit, kurse ka nisur të premten kur Besa Famgas fitoi shumë thellë ndaj Samadrexhës me rezultat 41:9.

Të shtunën pos derbit në Prishtinë u luajtën edhe dy ndeshje tjera. Derbi rajonal mes Trepçës dhe Vushtrrisë, që u luajt në Mitrovicë, u fitua nga vushtrriasit me një gol dallim, 22:21. Vushtrriasit ishin në epërsi që prej minutës së 22-të dhe me lojë më të mirë arritën te fitorja që e deshën më shumë. Mitrovicasit rritën angazhimin në fund, por arritën të afrohen në vetëm një gol e jo edhe të barazojnë rezultatin.

Ndeshja vendoste se cila prej këtyre dy skuadrave do të siguronte Superligën A. Në Superligën A do të garojë Vushtrria, kurse Trepça në Superligën B. Vushtrria është e pesta me 15 pikë kurse Trepça e shtata me 13 pikë.
Në Drenas u takuan Drenica e Zhegra, ndërsa fitore shënoi skuadra vendase me rezultat 29:25.
Të dielen (17:00) është ndeshja Drita – Vëllaznimi.

Prishtina-Kastrioti 20:24 (8:14)

Prishtina: Kolev, Agushi, Beqiraj, Ademi, Krasniqi 3, Bajqinovci 7, Visoka 1, Hoxha, Shahini 2, Beshiri 3, Gjuka, Kastrati 2, Abazi, Basholli 2.

Kastrioti: Prekazi 4, Terziqi 9, Shabani, Ramadani 2, Rudari, Mustafa 1, Esati, Rajatoski 4, D. Dugolli, Qerimi, Bytyqi, Curri, K, Syla 2, B. Syla, Zherka 2, A. Dugolli

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori i së drejtës ndërkombëtare dhe ish-ambasadori i Maqedonisë në…