Katastrofë në Kretë, përmbytje, rrëshqitje dheu…

11 nëntor 2020 | 09:04

 

Pamje të një katastrofe biblike vijnë nga një zone në lindje të ishullit të Kretës pas reshjeve tepër të dendura dhe motit të keq që ka përfshirë këtë pjesë të ishullit grek vetëm disa km larg nga qyteti i Iraklios prej së hënës në mbrëmje.

Dëmet më të mëdha janë regjistruar në komunën Hersoniso ku repartet e zjarrfikësve kanë shpëtuar të paktën 30 persona pasi shtëpitë e tyre apo automjetet ishin gati të përmbyteshin nga ujërat e rrëmbyera të përrenjve e lumenjve që dolën nga shtrati.

Dhjetëra makina kanë përfunduar njëra mbi tjetrën e disa në det në fshatrat Stalidha, Gurnes, Hersoniso e Malia që u ndodhën në epiqendër të fenomeneve të tejskajshme të motit. Shumë ndërtesa kanë pësuar dëme kolosale dhe janë me dhjetëra banorët që kanë mbetur të pastrehë, pasi niveli i ujit ka mbuluar shtëpitë e tyre.

Gjithashtu ekipet e shpëtimit dhe të forcave të ndërhyrjes në rast katastrofe po bëjnë përpjekje të hapin disa prej rrugëve nacionale në Spilia dhe Peza ku ka pasur reshqitje të mëdha të dheut. Shumë rrugë të fshatrave Anisara, Analipsi, Koutoyloufari dhe Moho janë përmbytur tërësisht pasi reshjet nuk kanë ndaluar për më se dy ditë ndaj dhe organet lokale kanë urdhëruar mbylljen e shkollave fillore për disa ditë.

Organet lokale po përpiqen në këtë fazë të sistemojnë të pastrehët apo ata që nuk mund të qëndrojnë në shtëpitë e tyre pasi niveli i ujit është ende i lartë. Sinoptikanët këshillojnë për kujdes nga të gjithë banorët e këtyre zonave pasi reshjet që do të jenë të rrëmbyera do të vazhdojnë edhe në 24 orët e ardhshëm.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Danimarka njoftoi se eliminoi 17 milionë nuska të cilat po…