Katër klube ndjekin Kupën në hendboll

26 prill 2024 | 14:48

Turneu final i Kupës së Kosovës në hendboll do të zhvillohet të shtunën dhe të dielën në Pejë. KHF Istogu është fitues në fuqi, ndërsa në gjysmëfinale përballet me Vushtrrinë. Para kësaj përballje ka folur kapitenia e kësaj skuadre dhe një prej lojtarëve më të mira, Albina Rugova. Ajo ka deklaruar se synon që me skuadrën e Istogut ta fitojë Kupën  për edicionin 2023/2024.

“Final 4 gjithmonë sjellë atmosferë të veçantë. Të gjitha skuadrat synojnë trofeun e Kupës së Kosovës. Dihet që Istogu gjithmonë lufton për trofe. Kemi tejkaluar disa probleme të vogla me lëndime. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Me përkrahjen edhe të publikut istogas synojmë trofeun e gjashtë me radhë të Kupës së Kosovës. Të gjitha skuadrat pretendente kanë lojtare cilësore. Na presin ndeshje të vështira e gjithsesi cilësore. Istogu në Pejë luan si në shtëpi të vet dhe kjo pres të jetë përparësi për ne”, ka thënë Rugova.

Për turneun e Kupës foli edhe kapitenia e Vushtrrisë, Burneta Rama, e cila tha se janë të lumtura që në fundjavë do të paraqiten në turneun final të Kupës së Republikës së Kosovës. “Sigurisht se ne si ekip jemi të lumtur që kemi arritur të jemi në mesin e katër ekipeve më të mira. Kemi punuar shumë dhe jemi më se të motivuara dhe të gatshme për lojë. Synimet tona janë të kemi paraqitje të mirë, të bëjmë lojë korrekte. Nuk dorëzohemi asnjëherë. Në fakt, edhe njihemi si ekip që nuk dorëzohet deri në momentin e fundi. Pavarësisht se jemi ekip me lojtare prej më të rejave, do të angazhohemi deri në fund. Mendoj se ndeshje si këto të turneut final të kupës u ndihmojnë lojtareve të ndërtohen dhe sigurisht të përgatiten për të ardhmen e tyre”, ka thënë Rama.

Skuadra e Ferizajt vlerësohet një prej precedentëve për ta fituar Kupën, derisa në gjysmëfinale kjo skuadër përballet me Samadrexhën. Kapitenia e Ferizajt, Aida Stagova, është optimiste se skuadra ferizajase do të dalë e suksesshme. “Ekipin ynë është duke punuar intensivisht që nga janari. Kemi synime të qarta. Jemi të bashkuara dhe të motivuara që ky vit të jetë shumë i suksesshëm për ne. Jemi të gatshme ta kalojmë gjysmëfinalen dhe me sukses në finale t’i përmbyllim qëllimet tona. Duam që Kupa të na shoqërojë rrugës për në Ferizaj”, ka thënë Stagova. Ndërsa skuadra e Samadrexhës që ka formuar skuadër pretendente gjithë fokusin e ka te turneu final i Kupës. Kapitenia Jihen Ben Hrouz ka thënë se Samadrexha është e përgatitur si duhet dhe se do të ketë një prezantim ashtu siç duhet. “Final 4 do të jetë një ngjarje e jashtëzakonshme për tifozët e hendbollit në Kosovë. Katër ekipet e kualifikuara kanë dëshmuar se janë ekipet më të mira këtë stinor. Ne do t’i mbrojmë ngjyrat e ekipit tonë, KHF Samadrexha, deri në fund. Jemi përgatitur si duhet dhe shpresojmë të prezantojmë nivel të mirë të hendbollit për tifozët në Pejë. Dhe në fund le të fitojë më i miri”, ka thënë Ben Hrouz.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve shkollore…