KB Rahoveci organizator i “Final 8” të Kupës së Kosovës

11 janar 2019 | 13:29

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) të premten ka marrë vendim që “Final 8” i Kupës së Kosovës për vitin 2019 të organizohet në Rahovec nga klubi i basketbollit Rahoveci.

Në konkursin e  hapur nga FBK-ja prej 28 dhjetor 2018 deri më 9 janar 2019 për organizimin e “Final 8” të Kupës së Kosovës, ka konkurruar KB Rahoveci, duke i plotësuar të gjitha kushtet në bazë të konkursit dhe Udhëzuesit për organizimin e “Final 8” të Kupës së Kosovës.

“Final 8” i Kupës së Kosovës do të zhvillohet prej 27 shkurt deri më 3 mars.

Më 27 dhe 28 shkurt do të luhen ndeshjet çerekfinale, si dhe gjysmëfinalja në konkurrencën e femrave, kurse më 1 mars ato gjysmëfinale te meshkujt, derisa finalet në të dyja konkurrencat do të zhvillohen më 3 mars.

Duhet theksuar se me këtë rast KB Rahoveci do të bëjë përurimin e palestrës së re “Mizair Isma”, në të cilën kanë filluar punimet para dhjetë viteve.

Në kuadër të “Final 8” të Kupës së Kosovës, do të organizohet edhe Kuvendi i Punës së FBK-së, si dhe FIBA SCOD Kampi për Referë, dhe Klinika për Gjyqtarët Potencial në FIBA. Të gjitha këto aktivitete organizohen nga FBK në bashkëpunim dhe KB Rahoveci, dhe me mbikëqyrje të FIBA-s.

Detajet e tjera rreth organizimit të “Final 8” të Kupës së Kosovës do të bëhen të ditura javën e ardhshme, kur edhe pritet të nënshkruhet kontrata në mes FBK-së dhe KB Rahoveci dhe me ç’rast do të organizohet edhe konferenca e parë për media.

Fituese të Kupës së Kosovës për edicionin e kaluar janë Z Mobile Prishtina te meshkujt dhe Prishtina te femrat.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi i Chelseat, Luiz, është duke u lidhur me një…