KDI-ja: Dhjetëra projektligje po presin mbi dy vite miratimin nga Kuvendi

07 mars 2024 | 11:24

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar disa faktografika që dëshmojnë për vonesa të mëdha në miratimin e 13 Projektligjeve.

Miratimin e Kuvendit mbi dy vite e presin projektligjet si ai për festat zyrtare, për vetëqeverisjen lokale, bujqësinë, tokën ndërtimore, aktet juridike dhe faljen e masave ndëshkimore gjatë pandemisë Covid-19, njofton KDI.

Përveç tyre, në Kuvend mbi 1 vit po presin miratimin edhe shtatë projektligje tjera, ndër to ai për lotarinë, arsimin e lartë, tekstet shkollore, për verërat, për lirinë fetare, për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor si dhe projektligji për tatimin në pronë.

Sipas KDI-së, arsyeja se përse këto projektligje nuk janë miratuar është për shkak se për miratimin e tyre nevojitet shumica e dyfishtë, konkretisht shumica e votave nga komunitetet joshumicë.

“Arsyeja pse ende nuk janë miratuar disa nga projektligjet në fjalë është kryesisht për shkak se për miratimin e tyre nevojitet shumica e dyfishtë, konkretisht shumica e votave nga komunitetet jo-shumicë. Për shkak të bojkotimit të Kuvendit nga ana e Listës Serbe, mbetet e paqartë se kur do të miratohen këto projektligje nga ana e Kuvendit. Gjithashtu, rikthimi potencial i kësaj partie në Kuvend nuk garanton përkrahje për miratimin e tyre”.

“Në rastet tjera, vonesa ka pasur në miratimin e disa prej projektligjeve që nuk janë sponzoruar nga Qeveria, e cila rëndom shtynë përpara agjendën e saj legjislative. Projektligje si ai për tatimin në pronë që është propozuar nga 6 deputetët të opozitës apo ai për faljen e masave ndëshkimore të pandemisë që është propozuar nga mbi 10 mijë qytetarë, presin ende radhën për tu miratuar”.

“Sipas Rregullores së Punës, koha që i nevojitet Kuvendit për të miratuar një projektligj llogaritet të jetë rreth gjashtë muaj. Përjashtim nga ky rregull bëjnë marrëveshjet ndërkombëtare të cilat parashihet të miratohen brenda 3 muajve. Megjithatë, edhe miratimi i tyre është zvarritur me muaj të tërë, nga mungesa e konsensusit mes pozitës dhe opozitës, që ka pamundësuar sigurimin e 2/3 të votave të nevojshme,”, ka njoftuar KDI-ja.

Sipas KDI-së, vonesat në miratimin e projektligjeve reflektojnë mungesën e efikasitetit të institucionit të Kuvendit dhe ndikojnë drejtpërdrejtë dhe negativisht në mirëqenien e qytetarëve.

Për të adresuar këtë çështje, KDI-ja inkurajon dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet partive politike të pozitës dhe opozitës dhe partive nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

KDI-ja ka theksuar se është e domosdoshme që të gjenden mënyra efektive për të siguruar që procesi legjislativ të jetë efikase dhe në përputhje me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njëzet e gjashtë biznese të reja u regjistruan në Mitrovicë…