Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar nga kryeministri dhe ministrat në detyrë që të japin dorëheqje formalisht, në mënyrë që të zhbllokohet konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
KDI-ja në një reagim për medie ka shprehur shqetësimin për dështimin e sërishëm të Kuvendit për të miratuar raportin e Komisionit për Verifikimin e Mandatave.
“Mosdorëheqja formale e kryeministrit dhe ministrave të cilët janë zgjedhur deputetë, përveçse shkelje e qartë e parimeve të ndarjes së pushteteve, po pamundëson votimin e raportit, duke cenuar drejtpërdrejt funksionalitetin institucional të Kuvendit. KDI-ja rikujton se sipas legjislacionit në fuqi, anëtarët e ekzekutivit duhet të japin dorëheqje, madje qysh para certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Po ashtu, edhe dispozitat kushtetuese ndalojnë ushtrimin e funksioneve të papajtueshme me mandatin e deputetit. Mosrespektimi i këtyre dispozitave nuk është çështje teknike apo e interpretimeve procedurale, por një shkelje e qartë e normave që rregullojnë ushtrimin e funksioneve publike në një rend demokratik”, është thënë në reagimin e KDI-së.
Po ashtu, KDI-ja ka theksuar se mbyllja e seancës së sotme është shkelje e rregullores, pasi është ndërprerë pa u realizuar votimi për raportin.
“Gjithashtu, KDI vlerëson se mbyllja e sotme e seancës konstituive nga ana e Kryesuesit të saj, deputetit Avni Dehari, përbën shkelje të rregullores dhe praktikës parlamentare, pasi ajo u ndërpre pa u realizuar votimi për raportin nga Komisioni i Përkohshëm dhe pa u konsumuar asnjë nga pikat e rendit të ditës. Një veprim i tillë, që anashkalon procedurat pa vendim formal të Kuvendit, cenon seriozisht legjitimitetin e procesit dhe i shton më tej paqartësitë rreth funksionimit të seancës. Fakti që Kuvendi nuk po arrin të verifikojë mandatet për shkak të këtij ngërçi të krijuar nga mungesa e dorëheqjeve formale tregon për një mungesë të vullnetit për të respektuar ligjin dhe për të lejuar funksionimin normal të institucioneve. Ky veprim, apo më saktë mosveprim, nga ana e anëtarëve të Qeverisë në detyrë, po e kthen një procedurë standarde dhe të thjeshtë – në një krizë të panevojshme politike dhe institucionale”, është thënë në reagimin e KDI-së.