Përcaktohen gjysmëfinalistët për turneun final të Kupës në hendboll
Të enjten është tërhequr shorti për gjysmëfinalen e Kupës së Republikës së Kosovës në të dyja konkurrencat. Turneu final i Kupës mbahet në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj më 26 e 27 prill.
Gjysmëfinalja e parë e Kupës vë përballë fituesin në fuqi, Kastriotin, dhe kampionin në fuqi, Rahovecin. Ndeshja e fundit mes këtyre dy skuadrave përfundoi baras. Në gjysmëfinalen e dytë përballen Vushtrria e Besa Famgasi. Skuadra pejane llogaritet favorite e madhe për vend në finale. Ndeshje interesante në gjysmëfinale do të zhvillohen edhe në konkurrencën e femrave.
Turneun final të Kupës e organizojnë KH Kastrioti dhe KHF Ferizaj. Te hendbollistet, të dyja ndeshjet vlerësohen shumë interesante. Gjysmëfinalja e parë vë përballë Samadrexhën e Ferizajn, ndërsa në të dytën takohen Istogu e Vushtrria. Të gjitha skuadrat kanë pretendimet për ta fituar trofeun e çmuar të Kupës.



