Tahirukaj: Në Ishujt Faroe na pret ndeshje e vështirë, ndaj Hungarisë presim përkrahje në Ferizaj
Drilon Tahirukaj është prej lojtarëve të rëndësishëm të Kombëtares së Kosovës në hendboll. Ai e ka përvojën e shumë cikleve kualifikuese dhe është i vetëdijshëm për sfidën që e pret Kosovën në nismë të kualifikimeve për Euro 2028.
Kosova të mërkurën mbrëma luan në udhëtim ndaj Ishujve Faroe. Ndërkohë të dielën e presim Hungarinë në Ferizaj. Hungaria është favorite e grupit. Në Grupin 4 është edhe Mali i Zi.
“Në Ishujt Faroe na pret ndeshje mjaft e vështirë. Kemi përballë një Kombëtare të talentuar dhe sigurisht na pret një ambient i jashtëzakonshëm, një palestër e mbushur me shikuesit fanatikë vendas. E dimë se çfarë lojtarësh ka në Kombëtaren e Ishujve Faroe dhe ku luajnë ata. Por do të shkojmë të përqendruar dhe do të japim gjithçka nga vetja. Mbetet të shihet çka do të ndodhë në fund”, ka thënë Tahirukaj, që karrierën për disa vjet e zhvillon në Zvicër, si disa reprezentues të tjerë të Kosovës.
Hungaria është prej Kombëtareve më cilësore që luan në Kosovë.
“Të dielën ndoshta do të jetë përballë një ndër kundërshtarët më të fortë që kemi pasur ndonjëherë. Por luajmë para tifozëve tanë. Në Ferizaj presim të kemi një ambient impozant. Urojmë në përkrahje të madhe që të bëjmë ndonjë befasi”, ka theksuar Drilon Tahirukaj.



