KDI: Të merren masa ndaj deputetëve të cilët denigrojnë punën e Kuvendit

18 maj 2018 | 19:37

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë lidhur me veprimet e fundit joparlamentare të shfaqura në Kuvendin e Republikës së Kosovë, gjegjësisht konfrontimet verbale e madje edhe fizike mes deputetëve Xhavit Haliti dhe Arben Gashi.

“Është e papranueshme që deputetët e Kuvendit të fyejnë njëri tjetrin dhe të përleshen fizikisht. Për më tepër, dhuna dhe konfrontimet fizike cenojnë rëndë vlerat të cilat do të duhej t’i përfaqësonte organi më i lartë në vend. Kuvendi i Kosovës si institucioni më i lartë i shtetit, duhet të shërbejë si vend ku promovohen vlerat e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, e jo të shndërrohet në arenë ku përplasjet dhe fyerjet janë normale”, thuhet në reagim.

KDI e konsideron të papranueshme tentimin për ndalimin e fjalës së lirë në Kuvend, e sidomos tendencat për të provokuar sulme e përballje fizike mes deputetëve. Kuvendi i Kosovës në tri vitet e fundit në masë të madhe ka dështuar të përmbushë funksionet e veta, pikërisht për shkak të përplasjeve politike.

“Këtij Kuvendi edhe ashtu joefikas, më së paku i duhen skena të tilla, të cilat padyshim paraqesin shkelje drastike të qëllimit të votës të cilën këta deputetë e kanë pranuar nga qytetarët”, thuhet tutje.

Tutje thuhet se Kuvendi i Kosovës nuk duhet të kthehet në arenë të qërimit të hesapeve personale duke përdorur akuza të ndërsjella dhe diskurs denigrues, që bie ndesh me obligimet kushtetuese të të zgjedhurve.

“Andaj, KDI kërkon të ndërmerren masa të menjëhershme ndaj deputetëve të cilët në mënyrë të papërgjegjshme denigrojnë punën e Kuvendit dhe besimin e votuesve të tyre”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pavarësia e Kosovës është çështje e mbyllur dhe Serbia duhet…