KEDS-i dhe Universiteti i Prishtinës nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

08 nëntor 2023 | 14:38

KEDS-i ka nënshkruar të mërkurën memorandumin e mirëkuptimit me Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”, dhe me Qendrën për Energji dhe Qëndrueshmëri në kuadër të UP-së, me qëllim të ngritjes dhe zhvillimit të mëtejmë të shkathtësive për studentët në Programin për Energji, Mjedis dhe Lidership.

Memorandumi është nënshkruar nga kryeshefi ekzekutiv i KEDS-it, Alpin Dogan, nga rektori i UP-së, Qerim Qerimi dhe nga drejtoresha e Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri brenda Universitetit të Prishtinës, Majlinda Daci.

“Jemi të lumtur që po vazhdojmë këtë formë të bashkëpunim dhe po fillojmë këtë program me një qasje më ndryshe nga ajo deri me tani. Përmes KEDS Academy ne tashmë kemi trajnuar më tepër se 500 studentë, mbi 70 për qind e të cilëve tashmë janë të punësuar në kompani. Përderisa, një numër i konsiderueshëm i të tjerëve punojnë në shtetet më të zhvilluara të botës, si në Amerikë, në Gjermani e në vende të tjera. E gjithë kjo falë përvojës që kanë fituar gjatë programit të KEDS Academy. Synimi ynë është që këta studentë të trajnohen me metodat më të avancuara dhe të bëhen pjesë e kompanisë”, tha Dogan.

Mjaft i kënaqur është shprehur të jetë edhe rektori Qerimi.

“Është kënaqësi e madhe ta nënshkruaj këtë marrëveshje. Ky është një benefit direkt për studentët tanë. Ne jemi në kërkim të vazhdueshëm të partnerëve tanë për të na mbështetur në këtë çështje, prandaj faleminderit për gatishmërinë dhe bashkëpunimin”, tha Qerimi.

Efikasiteti i KEDS-it e ka entuziazmuar udhëheqësen e Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri të UP-së, e cila do të jetë implementuese e programit për Energji, Mjedis dhe Lidership.

“Është kënaqësi të shohësh që me një takim kjo çështje u bë realitet dhe sot po nënshkruhet marrëveshja. Prandaj, faleminderit për gatishmërinë dhe bashkëpunimin”, tha Daci.

“Ky projekt është një mundësi ëndrrash për studentët përfitues. Ne do ta marrim si shembull këtë program të KEDS-it, dhe do të bëjmë përpjekje maksimale që të inkurajojmë edhe kompanitë e tjera që të bëjnë projekte të ngjashme dhe bashkëpunime në të mirë të studentëve”, tha Njomza Llullaku, prorektore për Akreditim, Cilësi të Mësimit dhe Çështje të Studentëve.

Përmes programit të KEDS Academy, i themeluar që nga fillimi i operimeve të kompanisë, synohet që të krijohen liderët e së ardhmes.

Gjatë muajit nëntor fillon programi i trajnimit për gjeneratën e 11-të, duke bërë që KEDS Academy të jetë program mjaft i suksesshëm në aspektin profesional dhe i rëndësishëm në fushën e Përgjegjësisë Shoqërore të Korporatës në sektorin e Arsimit në Kosovë.

KEDS Academy, gjithashtu është treguar të jetë mundësia më e mirë për të rinjtë që duan të punësohen në KEDS, si një nga kompanitë më të mëdha në vend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Atdhe Hetemin drejtor…