
KEDS nis shkyçjen e rreth 450 bizneseve që nuk kanë lidhur marrëveshje me furnizues energjie të licencuar
KEDS ka njoftuar se kanë nisur shkyçjen e rreth 450 bizneseve që nuk kanë lidhur marrëveshje me furnizues energjie të licencuar.
Në njoftimin e tyre thuhet se KEDS-i ligjërisht nuk do të mundë të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për ato kompani që nuk kanë arritur akoma marrëveshje me ndonjërin prej furnizuesve të licencuar nga ZRRE-ja.
Njoftimi i plotë:
Të nderuar konsumatorë,
Siç kemi informuar para pak ditësh se në respektim të njoftimit-vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji të datës 13 gusht 2025, KEDS-i ligjërisht nuk do të mundë të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për ato kompani që nuk kanë arritur akoma marrëveshje me ndonjërin prej Furnizuesve të licencuar nga ZRRE-ja.
Mbi bazën e kësaj dhe në respektim të Legjislacionit në fuqi, ju njoftojmë se sot kemi filluar shkyçjen e mbi 1400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë, të cilët nuk u janë përfillur thirrjeve të vazhdueshme për lidhjen e marrëveshjes me një Furnizues, pavarësisht se i plotësonin kushtet për dalje në treg të hapur të energjisë elektrike.
Po ashtu, ju njoftojmë se në emër të këtyre bizneseve janë identifikuar mbi 1400 njehsorë elektrikë, prej të cilëve mbi 600 janë njehsorë smart që do të shkyçen nga distanca, ndërkaq pjesa tjetër do të shkyçen fizikisht te këto kompani, për çka KEDS-i ka mobilizuar ekipe në terren gjithandej në Kosovë.
KEDS vazhdon të inkurajojë këta konsumatorë që sa më parë të lidhin marrëveshje me një Furnizues të licencuar nga ZRRE, lista e të cilëve gjendet në ueb faqen e ZRRE-së, për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike.