Kërcënimi me vrasje ndaj Dick Martyt, Hasani: Institucionet e Kosovës të kërkojnë përgjegjësi penale ndaj Serbisë

17 prill 2022 | 16:17

Kërcënimi me vrasje për ish-prokurorin Dick Marty, nga shërbimi sekret serb ka nxitur reagime të shumta si në Kosovë ashtu edhe në vendet tjera evropiane.

Sipas Dick Marty-t, “kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve”.

Lidhur me këtë çështje në një intervistë për Telegrafin ka folur ish-deputeti i PDK-së, Nait Hasani i cili kishte votuar kundër themelimit të Dhomave të Specializuara, duke thënë se raporti i Dick Martyt për trafikim të organeve që në fillim ka qenë skandaloz dhe shumë tendencioz.

Hasani tutje shton se gabimi jonë si qeveri e shtet është që nuk kemi ngritur kallëzim penal ndaj këtij raporti dhe nuk kemi reaguar me kohë.

“Për herë të parë që sa vite kurrë më afër dhe me penallti nuk na ka vendos Serbia si Kosovë të gjykojmë e ta qesim në bankën e të akuzuarve për krime lufte Serbinë sesa sot me rastin e Dick Martyt. Dick Marty sot e akuzon Serbinë për planifikim të vrasjes së tij, ku që dy vite gati policia zvicerane e ruan në shkallën e pestë me kamera e granata nën sigurinë e lartë të shtetit”, ka thënë Hasani.

Ai shton që shteti i Kosovës duke nisur nga Presidenca, Qeveria, Kuvendi, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Jashtme duhet si një trup të reagojnë dhe të kërkojnë përgjegjësi penale ndaj shtetit serb duke u bazuar në deklaratat e Dick Martyt.

“Vrasja e Dick Martyt kish me qenë katastrofike për shtetin e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi në Ballkan”, ka thënë Hasani, duke shtuar se rasti i Martyt tregon rrezikun e Kosovës si mundësi nga zhbërja si shtet.

Intervista e plotë:

Telegrafi: z.Hasani së fundmi është zbuluar nga mediat zvicerane një raport ku thuhet se Dick Marty është kërcënuar me vrasje nga shërbimi sekret serb, dhe që nga dhjetori i 2020 ai është në mbrojtje të lartë. Si e shihni ju një raport të tillë, dhe çfarë do të thotë kjo për Kosovën?

Hasani: Në vështrimin tim, raporti i Dick Martyt ka qenë që në fillim skandaloz dhe si tillë shumë tendencioz në akuzat e trafikimit të organeve nga pjesëtarë të UÇK-së.

Për mua ka qenë e pabesueshme që mund të ndodh një gjë e tillë, në rrethana lufte vullnetare të UÇK-së, por për transplante duhet të kesh kushte speciale dhe atu është vështirë të ndodh një formë e tillë, këtë e ka dëshmuar në një intervistë dhe ish administratori Kosovës mjeku Bernad Kushner, i cili e hedh poshtë një akuzë të tillë dhe i quan të çmendur gazetarët për pyetjen e tillë për trafikim organesh.

Gabimi jonë si qeveri e si shtet është që nuk kemi bërë kallëzim penal ndaj raportit e nuk kem reaguar me kohë për ta kundërshtuar një raport të tillë. Ne kemi besuar se një gjë e tillë nuk ka mundur të ndodh te ne, sepse kemi bërë një luftë për liri e luftë çlirimtare.

Tashmë ato që i kemi thënë atëherë se kjo është Gjykatë etnike kundër UÇK-së dhe nuk i gjykon krimet dhe tash vet Dick Marty e dëshmoi me gojën e vet që shërbimi sekret serb ka përgatit planin për atentat ndaj tij me grupet kriminale që shërbimi sekret serb i ka në dispozicion të vetin që nga kohërat e kaluara. Shërbimi sekret serb BIA e tashme, dikur UDBA ka kryer krime e vrasje në të gjithë diasporën e ish-Jugosllavisë. Vrasje të tilla ka bë edhe kundër shqiptarëve nëpër Evropë. Si kundër vëllezërve Gërvalla e Kadi Zeka, Enver Hadrit dhe atentati në Zvicër kundër Xhavit Halitit etj, duke u fshehur e lënë shqiptarëve përgjegjësinë e vëllavrasjeve.

Rasti Panda në Pejë ku policia sekrete serbe UDB-ja vrau katër serb nënë uniformen e UÇK-së për të ju lënë fajin shqiptarëve dhe UÇK-së. Këtë vetë sigurimi Serb BIA dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq e zbuloi këtë dëshmi rrëqethëse kundër Milloshevqiti në gjykimin në Hagë.

Por Serbia si shtet metoda kriminale ka përdorur gjithherë për të akuzuar shqiptarët, dhe këtë e dëshmon dhe rasti i Gjorgje Martinoviq nga Gjilani me 1985 me futjen e shishes se birrës në b*** për të akuzuar shqiptarët, kinse këta ja kanë vendos me dhunë, por policia e atëhershme e zbuloi se këtë veprim e ka bërë vetë, ndërsa serbët për këtë rast kanë bërë edhe film për viktimizimin e Martinoviqit duke akuzuar shqiptarët.

Serbët për të arritur një qëllim nuk kanë kursyer asgjë dhe vrasjet e pjesëtarëve të vet serb për të krijuar mundësi për të arritur qëllimin dhe prezantimin e vrasjeve si të shqiptarëve dhe për t’i luftuar në arenën ndërkombëtare si kriminel. Rasti i Dick Martyt duhet të jetë një sinjal i fortë i qeverisë së shtetit të Kosovës për reaguar si shtet dhe për të ngritur padi penale kundër Serbisë si shtet.

Telegrafi: A mendoni se shteti ynë duhet të merret më seriozisht me këtë çështje?

Hasani: Për herë të parë që sa vite kurrë më afër dhe me penallti nuk na ka vendos Serbia si Kosovë të gjykojmë e ta qesim në bankën e të akuzuarve për krime lufte Serbinë sesa sot me rastin e Dick Martyt.

Dick Marty sot e akuzon Serbinë për planifikim të vrasjes së tij, ku që dy vite gati policia zvicerane e ruan në shkallën e pestë me kamera e granata nën sigurinë e lartë të shtetit. Ai Dick Marty deklaroi se Serbia si shtet ka planifikuar ta vras dhe fajin tua lë shqiptarëve. Këtë vrasje shteti serb e ka organizuar për mes grupeve kriminale si çdoherë.

Shteti i Kosovës dhe presidenca, qeveria, Kuvendi, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Jashtme duhet si një trup të reagojnë dhe të kërkojnë përgjegjësi penale ndaj shtetit serb duke u bazuar në deklaratat e Dick Martyt.

Vrasja e Dick Martyt kish me qenë katastrofike për shtetin e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi në Ballkan. Planifikimi i Serbisë fatmirësisht ka dështuar, por Kosova duhet t’i përgjigjet me institucionet e saj me vendime që të ju drejtohet misioneve diplomatike dhe të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian në Bruksel ta gjykojnë Serbinë si shtet për veprime kriminale kundër shqiptarëve. Tashmë është mundësi që të reflektojnë Qeveria dhe Presidenca dhe të shfrytëzojnë këtë rast në mbrojtje të shtetit të Kosovës e të luftës sonë çlirimtare.

Telegrafi: Mbi bazën e raportit të Dick Martyt e dimë që është themeluar edhe Gjykata Speciale ku tash ish-krerët e UÇK-së ndodhën në paraburgim në Hagë. Sipas jush sa do të ndikojë çështja e kërcënimit të Dick Martyt në rrjedhën e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?

Hasani: Në Hagë tashmë nuk po gjykohet Hashim Thaçi e të tjerët por po gjykohet Kosova si shtet dhe lufta jonë çlirimtare. Sot pas rastit të Dick Martyt duhet kuptuar qëllimin e gjykatës e cila nuk është e krijuar për të zgjidhur rastet individuale por për të akuzuar Kosovën si shtet kriminal e ndërmarrje kriminale luftën tonë çlirimtare.

Prandaj secili që ka menduar se atje po e gjykojnë Hashim Thaçin duhet të mendojnë me kokë të ftohtë për shtetin e Kosovës, realitet i një lufte qindvjeçare e shumë brezave e gjeneratave tona ma vuajtje nëpër burgje e sakrifica deri te lufta jonë me përpjekje të përbashkëta të gjithë popullit me luftë e diplomaci, liri e çlirim të Kosovës, përpara rasteve individuale që mund të kenë ndodhur. Rasti i Dick Martyt tregon rrezikun e Kosovës nga zhbërja si shtet. Kjo gjykatë nuk do të merret me raste individuale këtë duhet ta dinë të gjithë, aty mund të shkojnë të dëshmojnë individ të caktuar, por ata janë parëndësi në krahasim me qëllimin e Prokurorisë e shteteve si Rusia me aleate që Kosova të shpallet shtet kriminal dhe të fillojnë procedurat e zhbërjes së Kosovës si shtet.

Telegrafi: Sa mund ta cenojë sigurinë në vendin tonë një gjë e tillë?

Hasani: Deklarata e Dick Martyt tregon qartë se si janë bërë planifikimet për të rrezikuar Kosovën si shtet përmes grupeve kriminale që ka Serbia në pronësinë saj të BIA-s dhe të UDB-ës.

Tashmë dhe pas luftës së Ukrainës me Rusinë, Serbisë iu kanë krijuar mundësitë më të mira në favorin e saj për të hapur konflikte dhe krijuar rrethana politike në Ballkan që do të cenonin interesat shtetërore të Kosovës, Bosnjës, Maqedonisë dhe të tërë rajonit. Sot e shohim Serbinë kundër Bashkimit Evropian e cila nuk vendosi sanksione kundër Rusisë si gjithë shtetet e Bashkimit Evropian, por kjo në këtë kohë dhe po armatoset me armë të kohës nga Kina.

Kjo tregon një Serbi agresore në vazhdimësi dhe aleate e Rusisë si armë e gatshme për shpërthime në Ballkan në komandë të Rusisë. Shpërthimi i një konflikti në Kosovë do të ishte me pasoja fatale për ne si popull për shkak të kufizimeve me armatime dhe numrit të vogël të pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës, urgjente duhet ta ndaj buxhet për forcimin e ushtrisë me blerje të armëve nga aleatët dhe rritjen e numrit të ushtarëve me numër të aftë për mbrojtje sipas standardeve të NATO-s.

Duhet ta dinë te gjithë se vendin tonë ne duhet të jemi të gatshëm e të aftë ta mbrojmë në çdo kohë se askush nuk vije mu vra për ne me na mbrojt neve, ne duhet ta mbrojmë veten si shtet dhe pastaj të tjerët do të na ndihmojnë. Siguria e Kosovës është e brishtë. Ndarja e buxhetit dhe blerja e armëve të kohës si drone “Bajraktar” e rritja e numrit të ushtarëve të FSK-së është një mundësi që mund të na siguroj siguri në shtetin tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident trafiku ka ndodhur në Fushë Kosovë, ku janë…