Kërcënohet nga Serbia koleksionuesi i videokasetave për krimet serbe në Kosovë

15 janar 2024 | 08:12

Koleksionuesi i mijëra videokasetave për krimet serbe, Esat Shala, është kërcënuar nga Serbia.

Kështu pohon kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës, Xhevdet Qeriqi.

Përmes një shkrimi, Qeriqi thotë se puna e tij po i pengon organet e sigurimit serb dhe presidentin e këtij vendi. Ai thekson se “ka filluar mobilizimi për ta penguar punën e tij, duke mos përjashtuar edhe eliminimin e tij”.

Qeriqi kërkon nga organet e rendit që Esatit t’i ofrohet siguri më e madhe.

“Esat Shala, i cili është vëllai i dëshmorës së kombit, Luljeta Shala, qenka kërcënuar hapur nga organet e sigurimi shtetëror të Serbisë.

Esati që disa vite është duke punuar maksimalisht për dokumentimin e krimeve serbe të kryera në Kosovë gjatë periudhës të luftës të vitit 1998-99. Esati po bënë një punë vullnetare që ti publikoj të gjitha krimet, torturat dhe masakrat të cilat i ka kryer aparati shtetëror i Serbisë. E kjo po shihet se është duke ju penguar organeve të sigurimit serb dhe presidentit të këtij vendi. Andaj paskan filluar që të mobilizohen për ta penguar punën e jashtzakonshme të Esatit, duke mos përjashtuar edhe eliminimin e tij. Ata paskan përgatitur edhe skica dhe lokacione ku në mesin e kësaj skice shihet edhe emri i Esatit”, tha Qeriqi.

Qeriqi thotë se e kemi obligim të gjithë, në veçanti organet e sigurisë së Kosovës, t’i ofrojnë siguri më të madhe Esat Shalës.

“Esati ka nevojë që ta mbrojmë të gjithë, dhe ta mbështesim në rrugëtimin e tij të drejtë. Mbështetja dhe ofrimi i sigurisë për, Esatin, është shumë e rëndësishme për ne dhe për vendin tonë”, shkruan Qeriqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rebelët jemenas Huthi kanë gjuajtur një raketë lundruese drejt një…