Kërkesë e jashtëzakonshme për miell në Gjermani

05 prill 2020 | 09:08

Kërkesa për miell është rritur aq shumë në Gjermani saqë mullinjtë tradicionalë të mbingarkuar nuk i përballojnë dot me kapacitetet e tyre të paketimit. Pakot me miell janë kthyer në një mall shumë të kërkuar në raftet e supermarketeve. Shpeshherë ka ngushtica edhe në furnizime. Sipas Anne-Kristin Barth, nga Shoqata e Sipërmarrjeve të Mullinjve dhe Grurit, mungesa e miellit në supermarkete nuk ka të bëjë me mungesën e grurit. Problemi është se kërkesa është rritur kaq shumë, katër deri në pesë herë më shumë javët e fundit.

“Ka për të gjithë, por kapacitetet e paketimit janë të kufizuara”, thotë Barth.

Ka 300 vjet që në qytetin gjerman Hemer mulliri “Sundwiger Mühle” bluan grurin për miell. Por një kërkesë si në javët e fundit punonjësit nuk e kanë përjetuar asnjëherë, shkruan agjencia epd, shërbimi evangjelist i shtypit. “Nuk do ta kisha menduar, se situata për biznesin tonë do të ndryshonte në mënyrë kaq të shpejtë. Kemi shitur gjashtë herë më shumë se në kohë normale”, thotë pronari Johannes Alberts. Megjithëse ka shumë fitime këto kohë, dëshira e Alberts do të ishte të shiste më ngadalë, sepse dëshiron edhe t’i këshillojë klientët.

Alberts ka përpunuar 14 tonë grurë në tre javët e shkuara, një shifër disa herë më e madhe se ajo normale. E, megjithatë, klientët qëndrojnë në radhë para dyqanit të tij në Hemer, Sauerland. Mullixhiu thotë se mungesa e miellit vjen për shkak të blerjeve masive. “Një situatë e çmendur. Shumë njerëz blejnë thasë 25 kg me miell për të krijuar rezerva. Shumë klientë vijnë drejt e në dyqanin e mullirit sepse nuk gjejnë në supermarket”, tregoi ai.

Kapacitetet janë të kufizuara

Edhe Stephan Kill nga Grupi i Mullixhinjve, Roland Mills United në Recklinghausen, thotë se është muaji i dytë që ata po prodhojnë në kufirin e kapaciteteve. Mullinjtë ku punon ai e kanë rritur prodhimin e paketimeve të miellit për kg nga 150.000 në 250.000 pako në ditë. Grurë ka, por nuk mund t’i përgjigjemi kaq shpejt kërkesës, thotë Kill. Edhe kapaciteti i makinerive është i kufizuar. Ai pret që ngushticat në furnizim të kalojnë shpejt deri në ditët e pashkëve. MEDIAL.mk

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fundjava e tretë e izolimit total ka shenuar edhe viktimën…