Kërkohej për vjedhjen e milionave, policia ia gjen vetëm këmbën në plazh

26 shkurt 2021 | 13:50

Policia australiane ka njoftuar se ka gjetur mbetje të trupit të një gruaje të dyshuar për mashtrim me shumë të madhe të parave, e cila  është zhdukur në Syndey para katër muajve.

Zhdukja e biznesmenes Melissa Caddick ka marrë shumë vëmendje, pas dyshimeve se ajo kishte vjedhur miliona dollarë nga klientët e vet, shkruan “BBC”.

Policia nuk ka arritur në gjurmë të gruas së dyshuar deri javën e kaluar, kur disa persona panë një këpucë me këmbë të dekompozuar brenda saj në një plazh, 400 kilometra në jug të Sydneyt. Pas kryerjes së testit të ADN-së, këmba ka dalë të jetë e zonjës së zhdukur muaj më parë.

Koha dhe shkaku i vdekjes së këshilltares financiare do të hetohet dhe përcaktohet nga një mjek ligjor, ka thënë zyrtari policor në Uellsin e Ri Jugor, Mick Willing. “Mbetet mister se si dhe kur ka përfunduar ajo në ujë”.

“Tash për tash, nuk mund të përjashtojmë asgjë. Kemi mbajtur mendje të hapur, por duke i marrë parasysh rrethanat e zhdukjes së saj, gjithmonë e kemi konsideruar mundësinë që ajo t’ia ketë marrë jetën vetes”, ka thënë Willingu para gazetarëve.

Sipas tij, policia e ka analizuar rrymën e oqeanit dhe ka zbuluar se zonja Caddick mund të jetë futur në ujë afër shtëpisë së saj në Sydney.

Gjithashtu, Willingu ka thënë se policia është duke bërë kërkime në një park afër Tathra-s, në bregdetin jugor, me shpresë se do të gjejnë më shumë shenja të zhdukjes së gruas.

Komisioni Australian për Sigurime dhe Investime dyshonte se zonja Caddick ka vjedhur së paku 13 milionë dollarë australianë nga fondet e investimeve të mbi 60 klientëve, në mesin e të cilëve kishte edhe familjarë dhe miq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prej disa ditësh, Françeska Jaçe, ka treguar përmes postimeve në…