Kërkohet respektimi i të drejtave të punëtorëve, zëvendësimi i tyre me robotë, i vështirë

01 maj 2023 | 08:17

Është bërë pothuajse një “traditë” që festa e 1 majit, Dita e puntorëve, të pritet me protesta në Kosovë. Jo më ndryshe do të jetë edhe këtë vit.

Kryetari i Federatës Sindikale të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi ka thënë se gjendja e puntorëve nuk po ndryshon tash e vite të tëra, gjë e cila është njëherit edhe arsyeja e protestës së paralajmëruar për sot (e hane).

Por, a do e presë një herë Kosova festën e një majit si një “festë”?

“Të them të drejtën, ndoshta kur të lindin disa njerëz pas 100 vjetësh përndryshe me këta, nuk ka mundësi të festohet…ne jemi nën minimum me këtë që po ndodh realisht. Po flas për këtë qeveri e cila ka premtu shumë, edhe qeveritë e tjera kanë premtuar megjithatë, kjo ka premtuar më shumë sesa të gjitha të tjerat, dhe së paku as premtimin minimal nuk e ka bërë. As dialogun që duhet me e bë dialogun…jo serioz po as në mënyrën më të thjeshtë nuk e ka bërë. Kështu që, nuk ka shancë të vie deri tek ajo që po thoni”, ka deklaruar Azemi.

Gjersa ka deklaruar se Kosova do e paguajë faturën me humbjen e rinisë së saj, Azemi ka thënë se njerëzit tashmë kanë filluar të largohen dhe se një gjë e tillë, po vërehet dukshëm.

“Vetëm ata që nuk kanë asnjë dijeni lidhur me këtë përndryshe papunësia jo që do të rritet por realisht, gjendja është tepër alarmante dhe nuk ka shancë me u rrit papunësia, sot fatkeqsisht e kemi në nivelin më të ultë. Njerëzit që kanë së paku një kualifikim tashmë kanë ikur. Unë jam në terren çdo ditë dhe po e shohë siç është gjendja…fatkeqsisht është diçka e rëndë që po e shoh. Por, frikësohem që nëse edhe në 4-5 vjetët e ardhshme vazhdon kështu realisht nuk ke për të parë njerëz nën moshën 55-vjeçare që janë në Kosovë, këtë e vëren në çdo qendër’, ka deklaruar ai.

Se mungesa e rinisë në Kosovë do shkaktoj një hendek pajtohet edhe ekonomisti, Naim Huruglica. Ky i fundit thotë se një gjë e tillë do të vihet re atëherë kur objektivat nuk do të arrihen të përmbushen nga kompanitë.

“Ka me qenë shumë vështirë sepse njerëzit që po ikin janë njerëz që kanë një profesion, një zanat. Domethënë nuk po ikin vetëm ata të cilët nuk janë të punësuar sepse nëse ikin të papunët, siç thotë një fjalë, mund të ketë më pak efekte ekonomike por po ikin edhe ata që kanë profesion e zanat. Do të jetë e vështirë sepse nuk kemi kohë të gjejmë puntorë. Tregjet e jashtme vetëm aziatike ose mos të them afrikane, por sa jam në dijeni, kompanitë e Kosovës nuk kanë lidhje të mirë që do mund t’i zëvendësonin puntorët kosovarë…do të jetë një hendikep ikja e tyre dhe ajo do të vërehet tek shumë kompani që nuk do të munden t’i realizojnë objektivat e tyre”, ka deklaruar Huruglica.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Propagandistët e Kremlinit vazhdojnë përpjekjet e tyre të pamëshirshme globale…