qnr

Kërkohet rinumërimi i votave

07 mars 2021 | 18:16

Publikimi i një videoincizimi, në të cilin tre persona dyshohet se flasin për falsifikimin e votave të kandidatëve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ka nxitur reagime të shumta.

Pas publikimit të këtij videoincizimi disa kandidatë për deputetë të partive të ndryshme kanë ngritur dyshime për manipulim të votave të tyre nga komisionarët. Këta kandidatë, shoqëria civile dhe njohës të rrethanave politike kanë kërkuar rinumërim të votave dhe kanë ftuar prokurorinë ta hetojë këtë rast.

Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me prokurorinë për zbardhjen e rastit. Kandidatja për deputete e LDK-së, Lirije Kajtazi, ka shprehur dyshime se edhe rezultati i saj është përmbysur në minutat e fundit në QNR. “Me këtë model u përmbys edhe rezultati im në minutat e fundit në qendrën për fabrikimin e rezultateve! Të nderuar qytetarë, unë po vazhdoj betejën time, jo për një mandat në Kuvend, por angazhimin tim të përjetshëm në luftën për drejtësi dhe demokraci”, ka shkruar Kajtazi në profilin e vet në “Facebook”.

Të njëjtat dyshime i ka shprehur edhe kandidati tjetër i LDK-së për deputet, Faton Bislimi. “Më 4 mars unë kam folur për inxhinjering elektoral dhe ai u faktua me skandalin e blerjes së votave në QNR për kandidaten e AAK-së. Ky skandal kompromiton skajshmërisht procesin zgjedhor. Ky model i vjedhjes së vullnetit të sovranit ka prekur edhe shumë kandidatë të tjerë. Të paktën që do të duhej ta bënte sot PZAP-i është të dërgonte në rinumërim komplet votat me kusht dhe ato të diasporës (të cilat ekskluzivisht janë numëruar në QNR) dhe secilën kuti tjetër ku ka një fije dyshimi për manipulim. Përndryshe, demokracia jonë fragjile po fundoset. Burgu është pak në krahasim me fundosjen e demokracisë”, ka shkruar Bislimi.

Duke i parë pretendimet e kolegëve të saj, ka reaguar edhe anëtarja e kryesisë e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se KQZ-ja duhet të marrë vendim për rinumërim të secilës kuti të votimit nga zgjedhjet e 14 shkurtit. “KQZ-ja të marrë vendim për rinumërim të secilës kuti nën vëzhgim të kamerave, në transmetim live në televizionet nacionale. Nëse nuk bëhet për kandidatët, duhet të bëhet për qytetarët”, ka shkruar Bajrami në llogarinë e vet në “Facebook”, e cila, sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, është bërë deputete.

Edhe AKR-ja, e cila ka garuar në listën e LDK-së, ka shprehur dyshime për manipulim të votave. Kandidati për deputet i kësaj partie, Jetlir Zyberaj, ka thënë se ka dëshmi për manipulim të votave. “Kjo është vetëm një nga dëshmitë e prezantuara në PZAP për vjedhjen e votave nga komisionarët e kriminalizuar. Unë kam informacione që do t’i adresoj edhe në prokurori për vjedhjen e organizuar të votave. Rinumërimi i plotë i votave është absolutisht i nevojshëm për të siguruar procesin e degraduar zgjedhor. Informacionet e sakta thonë se ka ekzistuar plan i organizuar i vjedhjes së votave të presidentit Pacolli dhe votave të mia si kandidat. Rinumërimi i plotë do t’i nxirrte në shesh kriminelët dhe urdhërdhënësit e tyre”, ka shkruar Zyberaj në profilin e vet në “Facebook”.

Analisti politik Ilir Mirena ka thënë se dyshimet e ngritura nga partitë politike mund të qartësohen vetëm me një rinumërim të tërësishëm të votave. “Behgjet Pacolli i ka marrë afër 12 mijë vota në listën LDK-AKR. I vetmi nga AKR-ja. Marrë parasysh se kjo parti, sado e vogël, e ka një elektorat të caktuar në rajonin e Prishtinës, atëherë mund të dyshohet që edhe këtyre u janë vjedhur votat nga komisionarët e LDK-së. Nuk ka mundësi që 12 000 votues të Behgjetit të mos e kenë votuar vëllanë e tij, apo këshilltarin e tij me të afërt, Jetlir Zyberaj që, po ashtu, ishin në listën për deputetë të AKR-së. Një rinumërim s’do t’ju bënte keq”, ka vlerësuar Mirena.

Të hetohen dyshimet për falsifikim të votave të kandidatëve

Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), i ka bërë thirrje Prokurorit të Shtetit që t’i nisë menjëherë hetimet rreth dyshimeve për falsifikim të votave brenda Qendrës për Numërim dhe Rezultate (QNR) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Sipas DnV-së, prokuroria në bashkëpunim me Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Sekretariatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet të veprojnë për gjetjen dhe arrestimin e personave që dyshohen se kanë falsifikuar rezultatin e votimeve. “Audio dhe videoincizimi tregojnë se si numëruesi i votave jep çmimin për ndryshimin e votave brenda kandidatëve të listës së një subjekti politik. I dyshuari, po ashtu, tregon se sa para kishte marrë ai dhe dy persona të tjerë brenda QNR-së për t’i ndryshuar votat e një kandidateje për deputete të Kuvendit të Kosovës, që ajo të bëhej pjesë e legjislaturës së VIII. Demokracia në Veprim i bën thirrje Prokurorit të Shtetit që me urgjencë të fillojnë hetimet dhe të merren masat adekuate që të mos lejohet deformimi i vullnetit të votuesve nga dyshimet për falsifikimin e votave brenda QNR-së”, është thënë në reagimin e DnV-së.

Ky koalicion i organizatave ka ftuar të gjithë kandidatët për deputetë të cilët mund të kenë dyshime për vjedhje të votave, të bashkëpunojnë me prokurorinë. “Prokuroria në bashkëpunim me Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Sekretariatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet të veprojnë për gjetjen dhe arrestimin e personave që dyshohen se kanë falsifikuar rezultatin e votimeve. DnV u bënë thirrje të gjithë kandidatëve për deputetë të cilët mund të kenë dyshime për vjedhje të votave apo falsifikim të rezultatit, pos ankesave në PZAP, të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Shtetit për zbulimin e veprave që devijojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovë”, është thënë në reagim.

Kurse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me dije se pas videoincizimit të publikuar në media, ku bëhet fjalë për blerje të votave, ka kontaktuar Prokurorinë e Shtetit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ky institucion është i gatshëm për të bashkëpunuar me prokurorin për zbardhjen e rastit. “Menjëherë pas transmetimit në media të lajmit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me Prokurorinë e Shtetit për t’i ofruar të gjitha informacionet dhe materialet e nevojshme për hetimin dhe zbardhjen e plotë të rastit. Ju lutem që për detaje të tjera t’i drejtoheni Prokurorisë së Shtetit”, ka thënë Elezi.

Sipas rezultatit përfundimtar të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar fitore bindëse, duke siguruar 58 ulëse në legjislaturën e re. Pas saj renditet PDK-ja me 19 ulëse, LDK-ja me 15 dhe AAK-ja me 8 ulëse në Kuvend. Në afatin 24-orësh për ankesa, pas shpalljes së rezultatit përfundimtar, në PZAP janë dërguar 208 ankesa. PZAP-i lidhur me këto apele do të vendosë brenda afatit ligjor prej 72 orëve.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mutacioni brazilian i koronavirusit mund të infektojë sërish edhe personat…