Këshilltari i Haradinajt: Serbët e Kosovës duhet t’i thonë jo Vuçiqit

17 mars 2019 | 17:22

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, ka kërkuar nga serbët e Kosovës që t’i thonë jo presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Thirrjet e presidentit të Serbisë Vuçiq drejtuar serbëve të Kosovës, për të shkuar në Beograd në mbrojtje të tij nga opozita, janë vazhdimësi e politikës së Milosheviqit. Klithjet e tij drejtuar serbëve të vendit tonë për shpëtim, dëshmojnë së pari dështimin e tij në vendosje të demokracisë në Serbi dhe së dyti, instrumentalizimin e skajshëm të qytetarëve serbë të Kosovës”, ka shkruar Matoshi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Matoshit:

Serbët e Kosovës duhet t’i thonë jo Vuçiqit!?

Thirrjet e presidentit të Serbisë Vuçiq drejtuar serbëve të Kosovës, për të shkuar në Beograd në mbrojtje të tij nga opozita, janë vazhdimësi e politikës së Milosheviqit.

Klithjet e tij drejtuar serbëve të vendit tonë për shpëtim, dëshmojnë së pari dështimin e tij në vendosje të demokracisë në Serbi dhe së dyti, instrumentalizimin e skajshëm të qytetarëve serbë të Kosovës.

Mjerisht ata janë vënë në shërbim të kauzave të rreme nacionaliste të Aleksandër Vuçiq dhe bandës së tij neoçetnike, që në thelb, janë përpjekje për t’u mbajtur vetë në pushtet, pa pyetur për çmimin.

Dhe natyrisht se çmimi është i lartë: Deri në serbin e fundit të Kosovës!?

Po ky Vuçiq, si një ish zëdhënës i regjimit kriminal të nomenklaturës milosheviçiane, për dekada të tëra abuzoi me ndjenjat e serbëve të Kosovës, manipuloi dhe i nxiti ata t’u bashkoheshin tendencave gjenocidale kundër shqiptarëve.

Është koha që pjesëtarët e komunitetit serbë të Kosovës t’i thonë jo një hegjemonizmi të ri e të pashpresë të Presidentit të Serbisë, që hapur është kundër vlerave euroatlantike dhe që për ta ruajtur pushtetin totalitar mbi të gjithë serbët, është në gjendje t’i nisë drejt ndonjë tragjedie të re, duke i sakrifikuar pamëshirshëm.

Protestat e opozitës në Serbi janë çështje të brendshme të shtetit serb, ndërsa serbët kosovarë duhet t’i ndërtojnë jetët e tyre, të patrazuar nga askush, në Republikën e Kosovës dhe t’i kontribuojnë demokratizimit të shoqërisë kosovare.

Prishtina zyrtare, institucionet kosovare, u garantojnë serbëve të Kosovës një të sotme të sigurt dhe ardhmëni prosperuese këtu, në shtëpinë tonë të përbashkët.

Lojalë ndaj Prishtinës, ata janë të sigurt se nuk do të dërgohen në luftra të pakuptimta e të përgjakshme, për ta mbrojtur pushtetin personal të kujtdoqoftë, siç i nisi “Kasapi i Ballkanit” Slobodan Milisheviq në vitet ‘90 kundër të gjithë joserbëve në rajonin tonë!?

Qytetarët e Kosovës, të komunitetit serb, duhet më në fund të vetëdijesohen politikisht dhe tê shkëputen nga terri mesjetar!

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Emërtimet e Rrugëve si…