Kështu duket “kalaja” e Haklajve të Tropojës

18 prill 2021 | 20:30

Familja Haklaj, e njohur qëmoti për kontributin dhënë për çështjen kombëtare, veçanërisht pas viteve ’90, ka kaluar nëpër sfida të mëdha.

Haklajt, pas vrasjes së djalit, vëllait të tyre të vogël Shkëlqim Haklaj, më 5 janar 1998 në Qafën e Luzhës, në një atentat me armë zjarri automatike, nisin betejën e hakmarrjeve, duke vrarë njerëz të dyshuar për vrasjen e vëllait të tyre. Haklajt gjatë luftës së Kosovës kishin krijuar raporte të mira me ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilëve u kanë dhënë ndihmë të vazhdueshme, sidomos vëllai i tyre, Fatmir Haklaj, i cili kishte qenë shef i Komisariatit të qytetit të Bajram Currit të Tropojës dhe fjala e tij në atë kohë ishte ligj në zonën e Tropojës.

Pas përfundimit të luftës së Kosovës, në Tropojë vazhdon avazi i gjakmarrjeve, ku në njërin krah qëndronin djemtë e Haklajve të Kërrnajës, të shoqëruar nga shokët e tjerë, Feriz Kërrnaja e Jaho Mulosmani, në krahun tjetër familjet e mëdha tropojane që dëshironin ta nxirrnin hakun e të vrarëve të tyre si dhe forcat speciale “Renea” të shtetit shqiptar.

Gjatë vitit 1998, sipas drejtësisë shqiptare, Fatmir Haklaj e Jaho Mulosmani kanë vrarë në Tiranë bashkëvendësin e tyre, deputetin demokrat Azem Hajdari. Për këtë çështje në vitin 2001 është arrestuar Jaho Mulosmani dhe nga drejtësia shqiptare është dënuar me burgim të përjetshëm.

Gjatë viteve 1999 dhe 2000, pas vrasjes së Fatmir Haklajt dhe dy vëllezërve të tjerë të tij, Yll e Halil Haklaj, pothuajse shuhet familja e Haklajve. Shtëpia e tyre rrëzë malit në Kërrnajë, e cila është në të djathtë të rrugës Tropojë – Bajram Curr, ka një gjatësi rreth 15 kilometra, por tashmë është e boshatisur dhe e rrëzuar përtokë.

Ekipi i gazetës “Epoka e re” ka vizituar Kërrnajën dhe aty shihen vetëm gjurmët e shtëpisë e cila ka një formë të kalasë, e rrethuar me një mur të lartë, kurse mbi mur janë të vendosura telat me gjemba, për të mos pasur mundësi të kalohet. Në hyrje të dyerve kryesore të oborrit është e ndërtuar një “kullë” vrojtuese me “frëngji” që, sipas dëshmitarëve, ajo “kullë” ka shërbyer për t’u mbrojtur nga vrasësit e mundshëm. Në kodrën sipër tyre gjenden varrezat e katër vëllezërve të vrarë, të renditur sipas moshës: Shkëlqimi, Fatmiri, Ylli dhe Halili.

Por pas varrosjes së tyre, pra pas vrasjes, ata janë vrarë për së dyti! Pothuajse të gjithëve ua kanë dëmtuar varrezat dhe tanimë janë të vrarë edhe në varre! Për të ditur më shumë rreth të ‘fortëve’ të Tropojës, në krye me protagonistë Fatmir Haklaj e Jaho Mulsomani, mund ta shikoni “Dosjen Tropoja” në “Youtube”, në të cilën janë publikuar disa dokumentarë për jetën dhe veprimtarinë e tyre.

Historia e vrasjeve në familjen Haklaj

Familja e Haklajve njihet jo vetëm në Tropojë, por në të gjithë veriun e Shqipërisë. Është një nga familjet më të mëdha në këtë rrethinë. Trazirat e vitit 1997 bënë që djemtë e kësaj familjeje të bëheshin “bajraktarët” e gjithë Tropojës.

Një nga djemtë e Haklajve, Fatmir Haklaj, në atë vit drejtonte policinë e Tropojës. Numri i djemve tropojanë, të vrarë vetëm në 16 vjetët e fundit, pas vitit 1997, është rreth 200 persona. Vrasja e parë është bërë në dalje të urës së Milotit, ku viktima është një nga djemtë e fisit Haklaj, konkretisht Sokol Haklaj, ndihmësgjyqtar në rrethin e Skraparit. Pas kësaj vrasjeje nisën vrasjet e tjera të shumta serike, që kanë lidhje me fisin Haklaj të Tropojës.

Ndërkohë, vrasja më e bujshme e kryer prej tyre është ajo e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, më 12 shtator të vitit 1998. Më datën 5 janar 1998 vritet në Qafën e Luzhës, në një atentat me armë zjarri automatike, Shkëlqim Haklaj, një tjetër djalë i familjes Haklaj. Pas kësaj vrasjeje nis vrasja e djemve të tjerë të kësaj familjeje të madhe e të njohur, të kryefamiljarit Muharrem Haklaj. Ndërkohë, më 4 gusht 1999, vriten në atentat, në afërsi të fshatit Cërnicë, me mina të telekomanduara, Halil Haklaj e Feriz Kërnaja dhe plagoset rëndë Fatmir Haklaj.

Vetëm tre muaj më pas vritet edhe Fatmir Haklaj. Ai është vrarë më 4 nëntor të vitit 1999, në një pritë në fshatin Bujan, vetëm 50 metra larg shtëpisë së mikut të tij Jaho Salihi. Hakmarrja ndaj fisit Haklaj nuk është ndalur me kaq. Më 3 dhjetor 2000 është kryer ekzekutimi me snajper i djalit tjetër, Ylli Haklaj. Vrasja e fundit e djemve të familjes Haklaj është kryer më 8 maj të vitit 2002, pranë spitalit të Bajram Currit, ku mbetën të vrarë Elez Haklaj dhe i djali i tij, Çelë Haklaj.

Të vetmit djem që kanë mbetur gjallë nga “kulla” e Haklajve janë plaku Muharrem Haklaj dhe djali i madh, Hamdi Haklaj, të cilët, pasi u arratisën jashtë Shqipërisë, lanë pas “kullën” dhe varret e shkatërruara të djemve në Kërrnajë të Tropojës.

/Epoka e re/.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka zhvilluar ditën e sotme…