Kështu trajnohen shoferët e sigurimit të presidentit amerikan (VIDEO)
Të mbrosh Presidentin e Shteteve të Bashkuara është një punë shumë komplekse.
Çdo agjenti të Shërbimit Sekret i duhet të kalojë një trajnim të posaçëm për ngarjen e makinës, në qendrën e trajnimit në Laurel, të shtetit Merilend.
A mendoni se jeni një shofer i mirë?
Imagjinoni sikur t’ju duhet të kryeni pa gabuar disa manovra për të mbajtur vendin e punës.
Ky trajnim shkon përtej taktikave bazë të ngarjes së makinës. Këtu njihet si ngarja mbrojtëse, e cila ka një qëllim kryesor.
“Personi i mbrojtur duhet të nxirret i sigurtë nga ‘zona e sulmit’ dhe duhet zhvendosur në një zonë të sigurtë sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë Thomas Murach, i Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara.
Të gjithë agjentët dhe oficerët e Shërbimit Sekret duhet ta kalojnë trajnimin 5-ditor për ngarjen e makinës të zhvilluar në këtë pistë prej 550 metrash.
Por, edhe pas përfundimit të këtij trajnimi, ata ende nuk janë të çertifikuar për të ngarë limuzinën presidenciale, të njohur si Kadillaku 1, ose ndryshe “Bisha”.
Për këtë mjet të blinduar që peshon 9 mijë kilogramë ka një kurs tjetër më të avancuar.
Ekziston edhe një tjetër trajnim, ndoshta më i vështirë, për motoçikletat që udhëtojnë paralelisht me limuzinën gjatë motit të mirë.
“Motori është i rëndë, rreth 400 kilogramë, dhe të duhet të manovrosh mbi dy rrota, ndërkohë që të kërkojnë të bësh lëvizje që nuk do t’i kishe menduar se janë të mundshme”, thotë Lloyd Llamas, oficer teknik i Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara.
Këto nuk janë të vetmet mjete me dy rrota të Shërbimit Sekret.
Agjentëve u duhet të mësojnë teknika speciale për ngarjen e mjeteve për terrenet jashtë rrugës, madje edhe mjetet e transportit të fushave të golfit.
Përveç “Bishës”, ekziston edhe një autobuz, i njohur si “Ground Force One”.
Duke qenë se në vende të ndryshme, rrugët janë të projektuara në mënyra të ndryshme, Shërbimi Sekret i përshtati rrugët në qendrën e trajnimit që shoferët e mjeteve të mëdha të mësojnë si të manovrojnë me hendekët dhe pengesat.
Ky trajnim zyrtar për shoferët e Shërbimit Sekret filloi në vitin 1970. Teknikat e trajnimit kanë evoluar, ndërsa kanë vazhduar të evoluojnë edhe makinat.
“Në të kaluarën p.sh., i trajnonim si të frenonin makinat që nuk kishin sisteme që parandalonin bllokimin e frenave. Pra, i mësonim si të frenonin pothuajse plotësisht, pa shkaktuar bllokim të rrotave”, tregon agjenti Murach, raporton VOA.
Nga programi u hoqën pjesët që kishin të bënin me kontrollin e stabilitetit të makinës, pasi makinat moderne janë shumë më të qëndrueshme. Gjithashtu, teknologjia e prodhimit të gomave është zhvilluar më shumë dhe tashmë gomat janë më të qëndrueshme në sipërfaqet e rrëshkitshme.
Trajnimi për ngarjen jashtë rrugës kërkon megjithatë edhe ndjekjen e mësimit në klasa.
Zhvillohen gjithashtu simulime për aktivitetet ceremoniale, si p.sh. inaugurimi i Presidentit. Gjatë këtij aktiviteti, limuzina presidenciale lëviz shumë më ngadalë se zakonisht, duke u ekspozuar kështu ndaj rreziqeve të shtuara të sigurisë.
Shërbimi Sekret ka për detyrë jo vetëm mbrojtjen e Presidentit, Nënpresidentit, familjarët e tyre, ish-presidentët dhe zonjat e para, por edhe mbrojtjen e udhëheqësve të huaj që vizitojnë SHBA-në, si dhe kandidatët kryesorë gjatë fushatave elektorale në Amerikë.
Për agjentët e Shërbimit Sekret që përzgjidhen për të ngarë automjetet, detyra e tyre kryesore është siguria e këtyre pasagjerëve shumë të rëndësishëm.