Këta janë laureatët e sivjetmë të çmimeve vjetore të MKRS-së

13 shkurt 2024 | 09:15

Ars Clubi “Beqir Musliu” ka njoftuar mbrëmë, se “mbështetur në një ftesë që ka arritur sot paradite në adresën e prof. dr. Anton Nikë Berishës, nga ana e MKRS-së, bëhet e ditur se ky punëtor i palodhur i shkencës së letërsisë dhe kulturës shqiptare, është fitues i sivjemë i Çmimit kombëtar për vepër jetësore, ‘Azem Shkreli’”. Gjithashtu, e njëjta organizatë joqeveritare bën me dije se propozimin për profesor Anton Nikë Berishën për çmimin “Azem Shkreli” e ka bërë Ars Clubi “Beqir Musliu”.

Gazeta “Epoka e re” ka kontaktuar sot me një prej anëtarëve të jurisë së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për dhënie të çmimeve vjetore dhe ka vërtetuar se çmimi për vepër jetësore “Azem Shkreli” i është dhënë Anton Nikë Berishës, çmimi për prozë i është dhënë Afrim Demirit, çmimi për poezi Halil Matoshit, çmimi për kritikë/eseistikë u është dhënë Kujtim Shalës dhe Nysret Krasniqit, çmimi për përkthim Blertë Ismailit, kurse çmimi për krijimtari për fëmijë sivjet nuk është i dhënë askujt, ani pse ka pasur propozime për këtë çmim.

Gazeta “Epoka e re” ka marrë vesh se një ndër kandidatët për çmimin “Azem Shkreli” ka qenë shkrimtari dhe studiuesi Rexhep Qosja.

Çmimi “Azem Shkreli” ka vlerë 5 000.00 euro, kurse çmimet e tjera, pa u ndarë në dysh, 2 500.00 euro.

Juria, e përzgjedhur nga MKRS-ja për çmimet e sivjetme, e themeluar para rreth njëzet ditësh, ka qenë në këtë përbërje: Bardh Rugova, kryetar; Naime Beqiraj, Alban Beqiri, Azem Deliu, Vlora Ademi, anëtarë.

Ceremonia e dhënies së çmimeve vjetore do të organizohet më 16 shkurt 2024, në orën 10:00, në kabinetin e ministrit të MKRS-së, Hajrulla Çeku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Poezi nga: Vladimir Mayakovsky Përktheu: Faslli Haliti Të gjithë në…