Kiçmari: Buxhovi të shkojë në Prekaz te varri i Adem Jasharit dhe të vetëreflektojë

12 korrik 11:29

Ish-ambasadori i Kosovës në Austri dhe Australi, Sabri Kiçmari, ka reaguar ndaj deklaratës së shkrimtarit Jusuf Buxhovi, i cili në një intervistë dhënë për emisionin “Rubikon” të KTV-së ka deklaruar se lufta e UÇK-së nuk ka qenë e pastër.

Kiçmari përmes një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Buxhovi do të duhej të shkojë në Prekaz te varri i Adem Jasharit dhe familjes Jashari dhe të vetëreflektojë.

“E kam përjetuar një propagandë të tillë edhe gjatë luftës. Në takimet e shumta diplomatike si përfaqësues diplomatik i UÇK-së, me mund dhe durim të madh, më duhej t’ua shpjegoj diplomatëve dhe gazetarëve të shumtë karakterin e pastër të luftës sonë. Edhe në atë kohë kishte njerëz, që mundoheshin të dezinformojnë publikun se lufta jonë për liri ka karakter terrorist, fundamentalist ose ideologjik. Koha e vërtetoi se nuk kanë pasur të drejtë! Diplomatët ndërkombëtar e kuptuan dhe na mbështetën, pikërisht për shkak të karakterit të pastër të luftës sonë”, ka shkruar ish-ambasadori Kiçmari.

Postimi i plotë i tij:

Jusuf Buxhovi paska deklaruar se “lufta e UÇK nuk ka qenë e pastër.” Para se të deklaronte në këtë mënyrë, Buxhovi do të duhej të shkoj në Prekaz te varri i Adem Jasharit dhe familjes Jashari dhe të vetëreflektojë. Më pas të shkoj të vizitoj edhe varret e Zahir Pajazitit, Luan Haradinajt, te varret e shokëve të mi të dashur Fehmi Lladrovci dhe Xhemajl Fetahaj! Ata janë personifikimi i vërtetë i UÇK-së!
E kam përjetuar një propagandë të tillë edhe gjatë luftës. Në takimet e shumta diplomatike si përfaqësues diplomatik i UÇK-së, me mund dhe durim të madh, më duhej t’ua shpjegoj diplomatëve dhe gazetarëve të shumtë karakterin e pastër të luftës sonë. Edhe në atë kohë kishte njerëz, që mundoheshin të dezinformojnë publikun se lufta jonë për liri ka karakter terrorist, fundamentalist ose ideologjik. Koha e vërtetoi se nuk kanë pasur të drejtë! Diplomatët ndërkombëtar e kuptuan dhe na mbështetën, pikërisht për shkak të karakterit të pastër të luftës sonë.
Jusuf Buxhovi nuk ka pasur të drejtë as në vitin 1981, nuk ka pasur të drejtë as në vitet 1998-1999 dhe nuk ka të drejtë as sot. Lufta e pastër e UÇK-së është një nga ngjarjet më të ndritshme të historisë sonë të re!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mbajti fjalimin e…