Kina ia anulon vizitën Borrellit

05 korrik 2023 | 14:29

Kina ia ka anuluar vizitën shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka thënë një zëdhënëse e bllokut evropian.

Borrell ishte planifikuar që ta vizitonte Kinën javën e ardhshme.

Nuk është treguar arsyeja e anulimit të vizitës, që vjen në kohën kur Evropa po synon që të ulë rreziqet e krijuara nga raporti i ngushtë ekonomik me Kinën, që Brukseli e cilëson si “konkurrente ekonomike dhe rivale sistematike”.

“Fatkeqësisht, jemi informuar nga homologët kinezë se datat e parashikuara për javën e ardhshme nuk janë të mundshme dhe tani ne duhet të shikojmë alternativa”, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali në një përgjigje dërguar “Reuters”-it.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze nuk ka treguar se pse është anuluar vizita e Borrellit, por nuk  ka përjashtuar mundësinë që shefi i diplomacisë së bllokut evropian të vizitonte shtetin në të ardhmen, raporton “Rel”.

“Ne e mirëpresim përfaqësuesin e lartë Borrell në vizitën në Kinë në momentin më të përshtatshëm për të dyja palët”, ka thënë zëdhënësi Wang Wenbin për gazetarët në Pekin.

Borrell kishte planifikuar që të takohej me homologun e tij kinez për të diskutuar për “çështje strategjike”, përfshirë të drejtat e njeriut dhe luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Kjo është hera e dytë që Borrellit i anulohet vizita në Kinë. Në prill, ai nuk pati mundur të shkojë në Pekin pasi kishte rezultuar pozitiv me koronavirus.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i është bashkangjitur mbledhjes së…