Kina planifikon ta zëvendësojë udhëheqësen e Hong Kongut me lider ‘të përkohshëm’

23 tetor 2019 | 11:15

Kina është duke hartuar një plan për zëvendësim të lideres së Hong Kongut, Carrie Lam me një shef “të përkohshëm” ekzekutiv, ka raportuar “The Financial Times”, duke cituar burime të afërta me këto zhvillime, teksa në Hong Kong vazhdojnë të zhvillohen protesta pro-demokracisë.

Lam është kthyer një ndër shënjestrat kryesore në protestat e Hong Kongut, pas shqetësimeve të banorëve se këtij vendi po i kufizohen liritë që gëzon sipas organizimit “një shtet, dy sisteme”, sipas të cilit funksionon prej kur Kinës i është dorëzuar ky territor nga Britania më 1997.

Burime të “Financial Times” kanë thënë se zyrtarët në Kinë dëshirojnë që situata në Hong Kong të stabilizohet para se të marrin vendimin përfundimtar, sepse nuk dëshirojnë që veprimi i tyre të përkthehet si dorëzim ndaj dhunës.

Nëse presidenti kinez, Xi Jinping vendos të shkojë tutje me këtë proces, atëherë pasardhësi i lideres Lam do të emërohet në muajin mars, ka thënë gazeta, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Në muajin shtator, Carrie Lam ka thënë për “Reuters” se do të largohej nga pozita që ka nëse mundet, mirëpo kurrë nuk i ka kërkuar qeverisë kineze që ta lejojë atë të japë dorëheqje.

Qindra mijëra persona kanë marshuar në rrugën e Hong Kongut nga gjysma e muajit qershor.

Disa herë protestat janë përfshirë nga dhuna, të cilat kanë nisur si shenjë pakënaqësie ndaj një projektligji për ekstradim të të dyshuarve në Kinë.

Projektligji në fjalë është pezulluar, mirëpo kërkesat e protestuesve ndërkohë janë zgjeruar, duke bërë thirrje për zgjedhje të drejtpërdrejta dhe llogaridhënie më të madhe nga policia.

Kina ka mohuar akuzat se ka kufizuar të drejtat e këtij territori nga viti 1997 dhe ka fajësuar kombet e huaja, sikurse Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë për nxitje të pakënaqësive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia në Britani të Madhe ka gjetur trupat e 39…