Kina udhëheq në teknologjitë kryesore ushtarake

06 qershor 2023 | 22:35

Sipas një analize të re nga një institut australian, kërkimet kineze mbi disa teknologji kryesore ushtarake janë aq të avancuara saqë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kryesorë do të mbesin gjithmonë prapa.

Instituti Australian i Politikave Strategjike (ASPI) publikoi gjetjet e tij të martën bazuar në një analizë të punimeve kërkimore më të cituara, duke arritur në përfundimin se Kina kryeson në 19 nga 23 kategoritë kryesore, duke përfshirë disa teknologji që ka të ngjarë të luajnë një rol të madh në përpjekjet e Pekinit për një mbizotërim ushtarak në rajonin e Indo-Paqësorit dhe më gjerë.

Studimi arrin në përfundimin se Kina “ka një epërsi komanduese në teknologjinë hipersonike, elektronike dhe në kapacitetet kryesore nënujore,” duke paralajmëruar më tej se, “avancimet e Kinës janë aq të theksuara saqë krijojnë një rrezik të konsiderueshëm se Pekini mund të dominojë përparimet e ardhshme teknologjike në këto fusha”.

Analiza më tej zbulon se për hipersonikët, nëntë nga 10 institucionet kryesore kërkimore janë të bazuara në Kinë, ndërsa Kina është vendi i të 10 instituteve kryesore të kërkimit për dronët nënujorë.

Ndryshe nga raketat balistike, të cilat fluturojnë me shpejtësi hipersonike, por udhëtojnë përgjatë një trajektoreje të caktuar, armët hipersonike janë shumë të manovrueshme pavarësisht se fluturojnë pesë herë më shpejt se shpejtësia e zërit.

Hendeku mes gjithë vendeve të tjera dhe Kinës është I konsiderueshëm. Në disa teknologji, si ajo e hipersonikëve, Kina prodhon më shumë se 73% të të gjithë kërkimeve, më shumë se SHBA-ja dhe tetë vendet e tjera së bashku.

Analiza zbulon gjithashtu tregues se Kina po përdor institucionet kërkimore perëndimore në avantazhin e saj.

Më shumë se 14% e autorëve kinezë “më me ndikim” – ata që kanë shkruar vepra të cituara më shpesh – e kanë kryer trajnimin e tyre pasuniversitar në SHBA, Australi ose Britani, thotë ASPI.

Megjithatë, ka disa fusha ku SHBA dhe aleatët e saj kanë një avantazh.

ASPI thotë se SHBA kryeson në kërkimet me ndikim të lartë në sistemet autonome, llogaritjet kuantike dhe sensorët kuantikë, disa fusha të inteligjencës artificiale dhe në sigurinë kibernetike mbrojtëse.

Kur përpjekjet kërkimore të SHBA-së kombinohen me ato të Australisë dhe Britanisë, i ashtuquajturi partneritet AUKUS, hendeku mbyllet pak më shumë, megjithëse Kina ruan ende një avantazh të konsiderueshëm kërkimor.

“Fakti që të tre vendet e AUKUS-it vazhdojnë të ndjekin Kinën në disa fusha, nënvizon vlerën e marrëveshjes së ndarjes së teknologjisë, qëllimi i së cilës është të përshpejtojë zhvillimin e përbashkët teknologjik duke u mundësuar partnerëve të përdorin pikat e forta të njëri-tjetrit”, shkruan në një deklaratë që shoqëron raportin ASPI.

ASPI thotë gjithashtu se shpreson se përfundimet do të “forcojnë thirrjet për vendet e AUKUS-it për të zgjeruar bashkëpunimin teknologjik me vende të tjera si Japonia”.

SHBA, Australia dhe Britania hynë në marrëveshjen AUKUS në shtator 2021 për të adresuar shqetësimet e ndërsjella në Indo-Paqësorin dhe për të nxitur përparimet në teknologjinë artificiale, llogaritjen kuantike dhe mbrojtjen kibernetike.

Një nga pjesët më të spikatura të aleancës së tre vendeve përfshinte një plan mes Uashingtonit dhe Kanberës për të ndërtuar të paktën tetë nëndetëse me energji bërthamore për Australinë.

Zyrtarët e mbrojtjes dhe ushtrisë amerikane kanë shprehur vazhdimisht shqetësime për zgjerimin e ushtrisë së Kinës dhe teknologjinë e përparuar që nxit zgjerimin.

Në mars, shkencëtari kryesor i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes u tha gazetarëve në Uashington se Pekini tashmë ka arsenalin kryesor në botë të armëve hipersonike.

SHBA-ja po zhvillon armët e veta hipersonike, por të gjitha janë ende në testim ose zhvillim.

Zyrtarë të tjerë të inteligjencës amerikane kanë paralajmëruar gjithashtu për aftësinë e Kinës për të përdorur teknologjinë e përparuar.

Në shkurt, drejtorja e Zbulimit Kombëtar amerikan, Avril Haines paralajmëroi se balonat spiune në lartësi të madhe që Kina dërgoi mbi SHBA-në kontinentale mund të jetë vetëm fillimi i përpjekjeve kineze të vëzhgimit.

“Ndërsa teknologjia përmirësohet, në fakt, do të shohim më shumë raste si ky. Ne do të duhet ta kuptojmë dhe ta menaxhojmë situatën”.

Zyrtarët kinezë vazhdojnë të mohojnë se balona që u rrëzua në brigjet e Atlantikut të SHBA ishte një pajisje vëzhgimi, duke argumentuar se ishte një balonë moti./VOA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Erling Haaland nuk e fshehu entuziazmin e tij për atë…