Kishte falsifikuar dokumente personale, prokuroria ngre aktakuzë ndaj zyrtarit të ARC-së

08 dhjetor 2023 | 15:24

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë dhe ka kërkuar dënimin e të pandehurit D.B., me dyshimin se ka lëshuar dokumente të falsifikuara për një shtetas të Shqipërisë, të kërkuar nga Interpoli.

Sipas njoftimit të prokurorisë, D.B. dyshohet se si punonjës i Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC), i ka shuar dokumente personale shtetasin e Shqipërisë M.D., i cili është i kërkuar nga Interpoli për vepra penale të narkotikëve.

“Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga dt. 15.10.2021 e deri më 18.05.2023, në Prishtinë, respektivisht në zyrat e Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), i pandehuri D.B, në cilësinë e zyrtarit administrativ pranë kësaj Agjencie, përgjegjës për aplikim dhe shpërndarjen e dokumenteve personale (letërnjoftim, patentë shoferë dhe pasaportë), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin, me dashje dhe dijeni, në vazhdimësi i ka keqpërdorur autorizimet e tija ligjore, duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin primar dhe sekondar për pajisje me dokumentet personale, në atë mënyrë që, personit me inicialet M.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i kërkuar nga Interpoli për vepra penale të narkotikëve, i ka sjellë dobi të kundërligjshme duke i ndihmuar që ta kompletojë, pranojë dhe vërtetojë dokumentacionin personal në emër dhe me të dhënat e të dëmtuarit A.N., duke e pajisur me letërnjoftimin dhe pasaportën e Republikës së Kosovës me të dhënat e të dëmtuarit A.N, siç ka vepruar edhe me 7 (shtatë) persona të tjerë, duke i keqpërdorur të dhënat personale të të dëmtuarve, në të cilat i pandehuri kishte qasje”,  ka njoftuar prokuroria.

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë, gjithashtu ka propozuar që të njëjtit t’i shqiptohet dënimi plotësues “ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbime publike”, sipas nenit 62 të KPRK-së, respektivisht nenit 539 të KPPRK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, ka depozituar në SPAK kallëzim…