Kjo qeveri s’mund të shkojë më larg se në fillim të vjeshtës

09 korrik 2019 | 17:00

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haki Rugova, ka bërë me dije se kjo parti po insiston për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për shkak të keqqeverisjes që po i ndodh vendit.

Ai ka thënë se asnjë segment i qeverisjes nuk është duke punuar si duhet dhe, sipas Rugovës, ky koalicion nuk mund t’i zgjidhë problemet madhore.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se kjo qeveri nuk mund të shkojë më larg se në fillim të vjeshtës.

Rugova ka shprehur optimizëm se LDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet dhe do ta qeverisë vendin në mandatin e ardhshëm.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet brenda LDK-së duke thënë se rrahjet që e kanë përcjellë këtë proces nuk mund të kenë efekt negativ në elektorat.

Rugova nuk e ka mohuar mundësinë që t’i hyjë garës për kryetar të LDK-së, por ka thënë se duhet të arrihet një marrëveshje paraprake

“Epoka e re”: Z. Rugova, si po i shihni zhvillimet e fundit në skenën politike dhe pse LDK-ja po insiston që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme? I ka opozita votat për rrëzimin e qeverisë?
Rugova: Po insistojmë në zgjedhje të parakohshme për shkak të keqqeverisjes që po i ndodh vendit. Për asgjë tjetër. Nuk është çështje inatesh këtu, por në të vërtetë asnjë segment i qeverisjes nuk është duke punuar si duhet. Prandaj, kërkojmë dhe besojmë shumë se është e pamundshme të funksionojë normalisht shteti me qeverisjen aktuale.

“Epoka e re”: Koalicioni qeverisës ka kapacitete t’i finalizojë me sukses proceset me të cilat po ballafaqohet vendi?
Rugova: Nuk besoj se ky koalicion mund t’i zgjidhë problemet madhore. Pavarësisht prej premtimeve, nuk ka liberalizim të vizave, dialogu ka ngecur dhe nuk ka zhvillime pozitive në politikën e jashtme në përgjithësi. Kemi probleme edhe në aspektin e qeverisjes së brendshme, ka keqmenaxhim të parasë publike, papunësia është shumë e madhe dhe më e dhimbshmja është largimi i të rinjve nga Kosova. Ka shumë arsye që LDK-ja insiston dhe kërkon domosdo zgjedhje. Pra, porsa të arrijmë t’i bëjmë votat, menjëherë do ta ngrehim mocionin i cili ka për qëllim rrëzimin e qeverisë. Në fund të fundit, kjo është detyra e opozitës.

“Epoka e re”: Kur do të mund t’i siguroni 61 vota?
Rugova: T’ju them të drejtën sa më shpejt që të ndodhë aq më mirë do të jetë. Është koha e duhur për rrëzimin e qeverisë. Kjo qeveri nuk mund të shkojë më tutje sesa në fillim të vjeshtës.

“Epoka e re”: Pse mendoni se qeverisja e LDK-së mund ta ndryshojë gjendjen në vend?
Rugova: Për arsye se populli e ka provuar qeverisjen e LDK-së dhe unë mendoj se nuk ka pasur qeverisje më të mirë që nga paslufta e këndej se në kohën kur këtë qeveri e ka udhëhequr Isa Mustafa. Ka dëshmi të mjaftueshme që e vërtetojnë këtë që po them, në radhë të parë nuk ka pasur asnjë afër korruptive gjatë asaj periudhe.

“Epoka e re”: Nëse veç do të mbahen zgjedhjet e parakohshme, jeni optimistë se LDK-ja do të mund të dalë e para dhe ta formojë qeverinë?
Rugova: Shpresoj dhe jam i bindur se LDK-ja do të dalë e para, por nuk mund të qeverisë e vetme, sepse rrethanat janë të tilla. Asnjë parti e vetme nuk mund t’i fitojë mbi 50 për qind të votave në mënyrë që të qeverisë e vetme.

“Epoka e re”: Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë së fundmi se Kosova si kurrë më parë ka nevojë të udhëhiqet nga partitë që aktualisht janë në opozitë. Do të mund të funksiononte një qeveri në mes të LDK-së dhe LV-së apo anasjelltas?
Rugova: Koalicionet janë gjithmonë të mundshme në mes të partive opozitare, sepse opozita po kërkon shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Prandaj, është shumë normale që të shkohet në këtë formë. Mirëpo kjo do të jetë çështje e marrëveshjeve qoftë para zgjedhjeve apo qoftë pas zgjedhjeve.

“Epoka e re”: Por duke u bazuar nga e kaluara, pavarësisht prej deklarimeve të tilla, pas zgjedhjeve LDK-ja dhe PDK-ja kanë përfunduar bashkë në qeverisje.
Rugova: Përvojat asnjëherë nuk janë të njëjta dhe nuk mund të kopjojmë nga përvojat e kaluara. Çdo kohë sjell situata të reja. Nuk dua të flas se çfarë ka ndodhur në të kaluarën, por as të spekuloj se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Mirëpo ne do të shkojmë me parimet çfarë i ka LDK-ja dhe ashtu do të qëndrojmë.

“Epoka e re”: Problemet dhe rrahjet që e kanë përcjellë procesin zgjedhor brenda LDK-së, a mund të kenë efekt negativ në elektorat në rast se do të ketë zgjedhje këtë vit?
Rugova: Ato kanë qenë disa incidente që kanë ndodhur në disa degë apo edhe nëndegë, mirëpo unë nuk besoj se mund ta prishin imazhin e LDK-së në zgjedhje. Procesi zgjedhor brenda LDK-së deri më tani ka shkuar jashtëzakonisht mirë dhe shpresoj se do të përmbyllet mirë. LDK-ja është në gjendje që t’i sanojë të gjitha këto defekte të vogla që janë paraqitur gjatë procesit dhe do të përfundojë çdo gjë mirë dhe për këtë jam shumë i sigurt. LDK-ja e ka përvojën dhe aftësinë që t’i menaxhojë këto si duhet deri në fund.

“Epoka e re”: Ju keni arritur të rizgjedheni kryetar i Degës së LDK-së në Istog, por ka pasur akuza ndaj juve dhe të tjerëve që janë rizgjedhur në krye të degëve, madje ju kanë kritikuar se nuk po ua lëshoni vendin të tjerëve.
Rugova: Nuk ka ndonjë kryetar komune apo kryetar dege që nuk mund të kritikohet dhe nuk është kritikuar, prandaj nuk do të veçoja asnjë. Çdo udhëheqje apo proces ka defektet e veta, por dega dhe anëtarësia e LDK-së në mënyrë unanime kanë vendosur që unë ta udhëheq edhe për një mandat Degën e LDK-së në Istog.

“Epoka e re”: Me gjithë këto probleme dhe pengesa në tërësi, si e vlerësoni finalizimin e këtij procesi zgjedhor?
Rugova: Ka qenë një proces i mirë zgjedhor dhe jam i bindur se do të rezultojë mirë dhe vlerësimin final do ta japim në përfundim të procesit zgjedhor që do të kulmojë me organizimin e një kuvendi qendror.

“Epoka e re”: A ka rrezik që edhe Kuvendi Zgjedhor të përcillet me rrahje dhe të ketë një ndarje tjetër të partisë?
Rugova: Jo, nuk besoj se do të ndodhë një gjë e tillë, sepse LDK-ja ka përvoja të këqija në atë drejtim. Prandaj, nuk do të lejojmë që dikush të realizojë skenarë të tillë. Pra, LDK-ja do ta menaxhojë mirë këtë situatë dhe nuk do të ketë asnjë problem në kuvendin qendror.

“Epoka e re”: Z. Rugova, deri më tani zyrtarisht nuk ka kandidat për kryetar të LDK-së, por që mundësinë për këtë nuk e ka përjashtuar as Isa Mustafa, Fatmir Sejdiu, Lutfi Haziri etj. Sipas mendimit tuaj, kush duhet ta drejtojë LDK-në në mandatin e ardhshëm?
Rugova: Është krejt normale dhe të gjithë ata janë kandidatë të mundshëm, por kandidaturat për kryetar të LDK-së do të shfaqen në Kuvend. Prandaj duhet të presim se cilët janë kandidatët potencialë dhe si do të zhvillohet procesi.

“Epoka e re”: Ju, a do ta futeni në garën për të parin e LDK-së në Kuvendin Qendror?
Rugova: Përderisa flas këtu për të tjerët, cila është arsyeja që të mos flas për veten. Por nuk e kam shfaqur asnjë pretendim, kështu që nuk kam nevojë t’ju përgjigjem në këtë pyetje.

“Epoka e re”: Por ne dhe publiku ka interesim të dijë nëse do t’i hyni apo jo garës për kryetar të LDK-së?
Rugova: Nuk dua t’i prij një procesi i cili mund të shkaktojë opinione dhe dëme. Anëtarësia jonë i ka bindjet e veta dhe është e drejtë që të lobohet për secilin kandidat.

“Epoka e re”: Ju nuk dëshironi ta prishni procesin, prandaj nuk do t’i hyni garës?
Rugova: Jo, nuk mund të thuhet ashtu. Nuk po dua të them se kandidatura ime mund ta prish procesin në asnjë mënyrë, përkundrazi ajo mund edhe ta begatojë. Por kjo nuk është temë me të cilën unë jam duke u marrë. Derisa të përfundojë procesi zgjedhor nëpër të gjitha degët, të konstituohet një kuvend, t’i shohim listat e kuvendeve dhe atëherë do të shihet se si do të procedohet tutje. Unë jam i bindur se kryesia e LDK-së do të shkojë me marrëveshje të duhura. Pse mos të ketë marrëveshje? Marrëveshjet i zgjidhin edhe shumë probleme të tjera.

“Epoka e re”: Ju jeni ithtar që për zgjedhjen e kryetarit të LDK-së të ketë një marrëveshje paraprake e cila i shmang problemet?
Rugova: Pse mos të ketë? Rregullat e lojës mund të jenë edhe të tjera por, në fund të fundit, do të shkohet me votë në kuvend dhe nuk ka asnjë problem. Le t’i paraqesin njerëzit kandidaturat e veta dhe kështu funksionon LDK-ja dhe do të funksionojë edhe më tutje pa asnjë problem.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Dijana Ziviq,…