Klinaku: Donika Gërvalla duhet të tregojë nëse ka dërguar dosje në Gjykatën Speciale

04 maj 2021 | 13:58

Një deklaratë e bërë vite më parë nga aktualisht ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, për Gjykatën Speciale dhe ish-krerët e UÇK-së ka ngjallu reagime të mëdha.

Gërvalla atë kohë kishte thënë se do të ndihmonte me materiale sapo të formohej Gjykata Speciale kundër, siç thoshte ajo, “kokave të organizatës kriminale Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”.

“Gjykata Speciale ende nuk është institucion që një qytetar t’i drejtohet, brenda mundësive që kam patjetër (se do t’i drejtohem), sa do të merren në konsideratë është gjë tjetër”, kishte thënë Gërvalla.

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare (OVLUÇK), Faton Klinaku, ka thënë se Gërvalla e ka obligim të tregojë nëse ka dërguar dosje në Gjykatën Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së, dhe nëse po, në çfarë cilësie.

“Ajo duhet të tregojë nëse ka dërguar dosje në Gjykatën Speciale dhe nëse po, në çfarë cilësie. Nuk ka nevojë me dërguar se Specialja ka mjaft dosje prej prokurorisë serbe”, ka thënë Klinaku për “Reporterin”.

Klinaku ka theksuar se do të kërkojnë nga institucionet të veprojnë lidhur me Specialen, pasi ka thënë se kësaj gjykate i ka skaduar mandati.

“Ne do të kërkojmë nga institucionet të bëjnë diçka me Specialen, ata mund të ndryshojnë ligjin, kësaj gjykate që ne nuk e njohim i ka skaduar mandati”, ka thënë ai.

Kurse lidhur me raportimet për interesim për ofrimin e garancioneve nga Kroacia dhe shtete tjera për mbrojtje në liri të ish-udhëheqësve të UÇK-së, Klinaku ka thënë se institucionet e vendit do të duhet të veprojnë.

“Po të ishin serioz do të duhej të vepronin”, ka thënë ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli,…