Klubet kërkojnë që të rishqyrtohet vendimi për pezullimin e aktiviteteve sportive në ambiente të mbyllura

16 korrik 2020 | 11:55

Me vendimin e ri të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së Covid-19, është specifikuar pezullimi i të gjitha aktiviteteve rekreative, kulturore dhe sportive në ambiente të mbyllura.

Përkundër situatës alarmante të pandemisë në Kosovë, komuniteti i sportit ka shprehur pakënaqësinë dhe shqetësimet në lidhje me vendimin e lartpërmendur.

“Është  hera e dytë me radhë që bëhet pezullimi i veprimtarisë së bizneseve dhe klubeve sportive në tërë territorin e Kosovës. Studime të shumta shkencore, protokole të ndryshme të shteteve dhe organizatave botërore përkatëse, japin shembuj specifik se si mund të menaxhohen aktivitetet sportive përgjatë  pandemisë. Njëkohësisht, në konsultat tona me mikrobiologun Dr. Lul Raka – ai ka theksuar se me masa specifike dhe mbikëqyrje rigoroze, sporti nuk është e nevojshme të pezullohet”, thuhet në reagimin e klubeve sportive që janë të pakënaqura me këtë vendim.

“Pezullimin total të aktiviteteve sportive në ambiente të mbyllura e konsiderojmë të paarsyeshëm. Vendimet ad-hoc të cilat prekin një industri të tërë janë të papërballueshme për bizneset dhe klubet sportive, për sportistët profesional, rekreativ dhe ata me nevoja shëndetësore”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Kërkesa e këtyre klubeve për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është që të rishqyrtoj sa më parë me Qeverinë  e Kosovës vendimin për pezullimin e aktiviteteve sportive në ambiente të mbyllura, dhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës të rikonsideroj përkrahjen e këtij vendimi dhe të mbrojë interesat e komunitetit sportiv.

Marrë parasysh masat specifike të cilat janë ndërmarrë për industritë e tjera në vendin tonë  (p.sh. Gastronomia; Qendrat tregtare; Institucionet) është e domosdoshme që para se të ndalohet veprimtaria sportive, të merren masa specifike për parandalimin e përhapjes së Covid-19 përgjatë aktivitetit sportiv.

“Kërkojmë nga çdo federatë e sportit në Kosovë të marrë iniciativë të menjëhershme për hartimin apo repsektimin e protokoleve për secilin sport në veçanti dhe të merren masa rigoroze për mbikëqyrjen e respektimit të këtyre masave nga bizneset dhe klubet sportive. Përgjatë kësaj periudhe të vështirë, sporti duhet të trajtohet si mekanizëm për ruajtjen e shëndetit mental dhe mirëqenies kolektive. Poashtu, është obligim profesional përkujdesi ndaj sportistëve garues – që janë aset shumë i rëndësishëm i shtetit të Kosovës. Për këtë, mbyllja totale e sportit do të ketë pasoja negative si për shtetin ashtu edhe për shoqërinë tonë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e klubeve sportive.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reperja e njohur shqiptare, Tayna, pas suksesit të këngës “Bass”,…