KMDLNj: Askujt nuk i duhet përshkallëzim i situatës

22 nëntor 2022 | 11:19

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar për mosarritjen e marrëveshjes për targa dje në Bruksel.

Duke e parë situatën pas dështimit të kësaj marrëveshje, KMDLNj ka theksuar se askujt nuk i duhet përshkallëzimi i situatës në veri.

“Marrëveshja për targa midis Kosovës dhe Serbisë nuk përfundoi siç pritej për faktin se kushtëzohej me një kërkesë të papranueshme dhe jonormale për një shtet sovran dhe të pavarur. Ndërmjetësi aspak i pavarur, Joseph Borrell dhe i rreshtuar në mbrojtje të interesit të Serbisë, bashkë me Lajçakun, që nga fillimi i ‘ndërmjetësimit’ deklaroi se Vuçiqi qenka treguar konstruktiv. Ku qëndroka konstruktiviteti i Vuçiqit dhe i Serbisë, sipas Borrellit? Vuçiqi paska pranuar që Serbia mos t’i pajisë serbët e Kosovës me targa ilegale KM, PSH, UR, GNJ etj. e që paraqet nonsense në marrëdhëniet midis dy shteteve të pavarura për faktin se ky veprim i deritashëm i Serbisë paraqet ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të një shteti e që ishte lejuar deri më tani, përmes ‘negociuesve të pavarur’ e përligj këtë gjendje. Kjo i bie sikur që Rusia t’i pajisë qytetarët e Finlandës me targa ilegale e jo që këtë ta bëjë Finlanda si shtet i pavarur dhe sovran. Për këtë arsye çështja e targave nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet si çështje teknike por si çështje që ka të bëjë me integritetin territorial dhe sovranitetin e një shteti të pavarur dhe sovran”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Në rastin konkret, KMDLNj ka theksuar se Serbia por edhe BE-ja çështjen e targave e kanë shfrytëzuar për të krijuar tensione dhe për ta ruajtur praninë e Serbisë në Kosovë përmes instrumentalizimit të serbëve të veriut të Kosovës, në ndërkohë që serbët në pjesët tjera të Kosovës i përdorin targat që i përdorin të gjithë qytetarët tjerë të Kosovës.

Sipas KMDLNj-së, qëndrimi i Qeverisës së Kosovës në Bruksel ka qenë i drejtë dhe në përputhje me ligjin dhe interesat shtetërore. “Fajësimi i Borrellit, BE-së, ambasadorit Rohde dhe të tjerëve ishte subjektiv dhe oportunitet politik në përpjekje për ta amnistuar Serbinë dhe Vuçiqin për ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës. Kjo edhe trimëruar Serbinë që të ndërmerr veprime destabilizuese ndaj Kosovës duke urdhëruar serbët e veriut të Kosovës të tërhiqen nga të gjitha institucionet e Kosovës, veprim ky gjatë i planifikuar për qëllime politike”, ka theksuar KMDLNj.

KMDLNj mendon se nëse nuk i luhet ndonjë lojë prapa krahëve Kosovës, në veri nuk do të ketë përshkallëzim të dhunshëm të situatës që do ta rrezikonte sigurinë dhe se shpejtë do të materializohet një marrëveshje e cila ndihmon në tejkalimin e gjendjes dhe tensioneve.

“Pasi që largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës është bërë për shkaqe politike, një marrëveshje e domosdoshme politike do t’i kthejë ata në ato vende të punës përveç rasteve kur nuk duan të kthehen apo kur kanë bërë shkelje të rënda. Dënime nuk do të ketë për targa dhe se Qeveria e Kosovës, me pranimin e propozimit amerikan për 48 orë, ka dëshmuar se pranon që ky prolongim të përputhet deri në kohën kur do të gjendet një zgjidhje politike e cila, në rrethanat aktuale nuk ka alternativë. KMDLNj është kundër çdo lloj dhune dhe preferon një zgjidhje politike e cila nuk i dëmton interesat e Kosovës e as nuk i shkelë të drejtat e qytetarëve”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lionel Messi e ka kaluar Argjentinën në epërsi në ndeshjen…