KMDLNj: Drejtësia ndërkombëtare heshti ndaj masakrës së Dubravës

22 maj 2019 | 11:18

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) përmes një njoftimi për media ka bërë me dije se në mesin e shumë kallëzimeve penale që nuk u trajtuan nga drejtësia ndërkombëtare ishte edhe kallëzimi penal për masakrën e Dubravës.

“Në mesin e shumë kallëzimeve penale që KMDLNj ka bërë ndaj atyre që planifikuan, e përkrahën, nuk e penguan apo bënë krime lufte, krime kundër njerëzimit, shkelje të zakoneve të luftës e deri në gjenocid në Kosovë e që nuk u trajtuan fare nga drejtësia ndërkombëtare, në rastin konkret nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish Jugosllavinë ishte edhe Kallëzimi Penal për Masakrën e Dubravës. Ky Kallëzim Penal ishte dorëzuar nga KMDLNj përkatësisht nga Prof. Dr. Pajazit Nushi dhe Tahir Demaj i Këshillit Rajonal në Pejë me datë 07.03.2002 në Zyrën e Prokurorit të Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës për ish Jugosllavinë dhe ish protokolluar me numër, NR.18/02. Kallëzimin Penal e kanë përgatitur: Tahir Demaj, Zenel Mekaj, Drita Krasniqi, Mubijene Begolli-Sedefi dhe Muhamet Asanaj. Kallëzimi Penal për Masakrën në Burgun e Dubravës është përgatitur në kohë (viti 2000-2002) dhe është dorëzuar me kohë, më 7 mars 2002. Mostrajtimi i Kallëzimeve Penale nga Tribunali i Hagës, UNMIK dhe EULEX edhe për masakrat më të tmerrshme në mesin e të cilave Maskara e Burgut të Dubravës, për nga pesha dhe pasojat mund të krahasohet me Kampin në Aushvic apo Dahau, e bënë të kuptueshëm, pranueshëm dhe ligjor ndryshimin në Kodin Penal të Kosovës nga Ministria e Drejtësisë me të cilin mund të gjykohen dhe dënohen në mungesë ata që kanë kryer krime lufte në Kosovë”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.

Kallëzimi penal për masakrën e Dubravës i dorëzuar në Hagë nga KMDLNj

KMDLNj ka theksuar se nga aspekti i të drejtave të njeriut, për shkak të pamundësisë të sigurimit të një mbrojtje efektive edhe KMDLNJ ka pasur rezerva, në rrethanat ekzistuese kur Serbia është bërë mbledhës dhe mbrojtës i të dyshuarve për krime lufte e që janë larguar nga Kosova dhe kur Serbia refuzon çdo bashkëpunim, për më keq iu garanton mbrojtje dhe përkujdesje shtetërore, gjykimi dhe dënimi për krime lufte në mungesë është mënyra e vetme për të siguruar edhe një drejtësi sado të vogël për viktimat dhe familjet e tyre dhe përgjegjësi për kriminelët.

“Me këtë Kallëzim Penal për Masakrën në Burgun e Dubravës, KMDLNj shpreh respekt për të gjitha viktimat civile dhe ushtarake, familjarët e tyre si dhe për aktivistët e KMDLNj-së që kanë bërë një punë të madhe në dokumentimin e krimeve të luftës dhe që tani nuk janë në mesin e të gjallëve. Është bërë punë e madhe nga KMDLNj dhe të tjerët në këtë aspekt por e drejta e viktimave për drejtësi është sabotuar nga “drejtësia ndërkombëtare”, është thënë ndër të tjera në komunikatën e KMDLNJ-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ai është një nga futbollistët me të mëdhenj në botë.…