KMDLNj-ja kërkon nga kompanitë që t’u ndihmojnë njerëzve në nevojë

21 dhjetor 2018 | 11:59

Këshilli i për Mbrojtje e të Drejtave dhe Lirive  të Njeriut (KMDLNj) u ka dërguar një letër kërkesë kompanive “Albi Mall”, “Viva Fresh”, “Meridian Express”, “Super Viva”, “ELKOS”, “IPKO”, “Kujtesa”, si dhe donatorëve të tjerë potencialë  përmes së cilës ka kërkuar që të solidarizohen dhe t’u ndihmojnë në këtë fundvit njerëzve në nevojë.

“Përmbyllja e vitit 2018 nuk është larg, kanë mbetur edhe 10 ditë. Njerëzit në nevojë dhe institucionet që përkujdesen për këtë kategori të të margjinalizuarve kanë nevojë për përkrahjen tuaj dhe solidarizimin e shoqërisë dhe jo vetëm përkujdesje institucionale. Një kujdes në një ditë të veçantë apo në një festë për ju nuk është shpenzim fort i madh dhe i kushtueshëm, për njerëzit në nevojë është inkurajim se dikush interesohet për ta, se nuk janë të vetmuar, ndonëse në shumë raste janë të mohuar nga familja, përkrahja e juaj i bënë të ndjejnë se janë pjesë e një familje edhe më të madhe, ua kthen vullnetin dhe shpresën si dhe ndjenjën se nuk janë të vetmuar dhe të veçuar”, është thënë në këtë letër.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut u ka bërë thirrje kompanive dhe donatorëve që të dëshmojnë përkushtimin e tyre dhe solidaritetin duke ndihmuar njerëzit në nevojë dhe institucionet që përkujdesen për ta e që numri nuk është  edhe aq i madh.

“Dikush është i privuar nga liria por jo edhe nga e drejta për të shpresuar për t’u rikthyer në shoqëri, si pjesë e dobishme e saj; tjetri për shkak të rrethanave shëndetësore, sociale, familjare etj është i detyruar ta kalojë një jetë që e vendosë në margjina, të bëjë një jetë që nuk e ka dëshiruar por që duhet ta jetojë edhe në këto kushte! Kontribuoni dhe ndihmoni që kjo jetë për ta të bëhet më e durueshme, krijoni momente dhe rrethana që t’ua mbuloni zymtësinë e fatit të jetës me çaste gëzimi”, është theksuar më tutje në letrën e KMDLNj-së.

Në bazë të monitorimit të gjendjes KMDLNj ka rekomanduar që kompanitë të kontribuojnë me gjësende ushqimore (pako për fundvit) dhe veshmbathje për Institutin Special në Shtime, Shtëpia për të Moshuar në Prishtinë, HANDIKOS në Prishtinë, Shtëpitë e Komunitetit për Persona me Aftësi të Kufizuara dhe Qendra Korrektuese për të Mitur dhe Femra në Lipjan.

“Operatorët Kujtesa dhe IPKO mund të kontribuojnë duke ofruar shërbime gratis të internetit dhe sistemit kabllor sidomos në Shtëpinë për të Moshuar në Prishtinë. KMDLNj shpreson në mirëkuptimin dhe solidaritetin tuaj për të ndihmuar njerëzit në nevojë që meritojnë t’i gëzojnë të drejtat që u takojnë sikur të gjithë të tjerët. Kontributin tuaj mund ta dërgoni vet në vendin për të cilin përcaktoheni ose, mund të kontaktoni në tel të KMDLNj-së për informata të nevojshme: 044 50 05 02 dhe 038 24 90 06”, është thënë në letrën e KMDLNj-së dërguar kompanive dhe donatorëve potencial.

/Epoka e re/ 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ua ka…