KMDLNj: Keqpërdorime të mëdha me faturat e rrymës, askush nuk ndjehet përgjegjës

18 janar 2024 | 15:25

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka theksuar se qytetarët e Kosovës janë plaçkitur brutalisht nga ZRrE, KESCO dhe duket segmente te caktuara institucionale me faturat e fundit që, në jo pak raste janë 400 për qind më të larta se ato të muajit paraprak.

KMDLNj ka pohuar se menjëherë ka kërkuar që Prokuroria e Shtetit të bëjë hetime sipas detyrës zyrtare, që qytetarët të mos i paguajnë faturat e plota, të ankohen në KESCO, të ngrenë padi në gjykata dhe të kundërshtojnë në mënyrë të organizuar përmes protestave.

Gjithashtu, KMDLNj ka kërkuar nga deputetët që t’i mbrojnë interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht bindjeve politike, partive, përkatësisë nacionale apo statusit në shoqëri.

“Në rrethana normale kjo seancë është dashur të thirret nga pozita. Në fakt, pozita po e kundërshton këtë seancë dhe me çdo kusht po përpiqet ta arsyetojë këtë hajni të pashembullt që iu bëhet qytetarëve/votuesve të Kosovës. Me vet faktin se në seancën e jashtëzakonshme dolën pohimet se rryma që e blenë KESCO nga KEK me 2 euro e 90 centë ndërsa ua faturon qytetarëve 14 euro e 45 cent është fakt i mjaftueshëm që të bëhen hetimet e shpejta duke filluar nga ZRrE që është koka e meduzës së keqpërdorimeve e deri te KESCO që është finalizuesi i keqpërdorimeve përmes faturave të fundit. Në këtë mes do të gjendej edhe përgjegjësia institucionale. 100 eurot e ndara nga Qeveria kanë qëllim për mbytje të zhurmës ndërsa subvencionimi ka filluar vetëm pasi pati reagime të shumta dhe për t’i shmangur kundërshtimet e organizuara të qytetarëve që janë vjedhur haptas nga ZRrE, KESCO dhe ka dyshime edhe nga segmente të caktuara institucionale”, është thënë reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj ka theksuar se kundërshtuar këtë keqpërdorim të pamohueshëm duke kërkuar hetime dhe përgjegjësi sikur që e ka kundërshtuar diskriminimin e qytetarëve/konsumatorëve në baza etnike si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.

Në këtë kontekst KMDLNj ka kundërshtuar takimin me ZRrE, sepse sipas saj, pikërisht ky rregullator ka përgjegjësinë kryesore profesionale, institucionale dhe mbase edhe penale për situatën e krijuar.

“KMDLNj thërret qytetarët e dëmtuar që të këmbëngulin në mbrojtje të drejtave të tyre duke shfrytëzuar çdo mundësi ligjore që e kanë si dhe protestat e organizuara si e drejtë demokratike dhe e drejtë e njeriut. Masat që i ka ndërmarrë qeveria, si rrethanë e reagimit qytetar nuk e zgjidhin problemin por e zbusin ne periudhën afatshkurtër”, është theksuar ndër të tjera në reagimin e KMDLNj-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Corning mundëson qëndrueshmëri të lartë dhe një përvojë të maksimizuar…