KMDLNj: Shtrenjtimi i rrymës përkeqëson gjendjen ekonomike të shumicës së qytetarëve

28 shkurt 2023 | 13:20

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka vlerësuar se shtrenjtimi i rrymës përkeqëson gjendjen ekonomike të shumicë së qytetarëve të Kosovës.

“Operatori i vetëm në Kosovë për furnizim me energji elektrike i ka bërë kërkesë ZRR-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike diku mbi 54 për qind, kurse ZRR-ja në vend se të mbrojë interesat e qytetarëve të Kosovës që me vështirësi po i shlyejnë faturat me çmime ekzistuese, të lehtësuara nga subvencionimi i Qeverisë së Kosovës, krahasuar me më herët është treguar më i mëshirshëm duke lejuar shtrenjtimin vetëm me 13.4 për qind që, krahasuar me shumën e kërkuar, duket, në shikim të parë si një përfitim apo subvencion shtesë për qytetarët e Kosovës. Në të njëjtën kohë, Qeveria e Kosovës, duke u mbështetur në ‘praktikat e mira’ të qeverive të mëparshme ka vazhduar t’ua paguajë rrymën serbëve (dhe të tjerëve) në veriun e Kosovës duke e zbatuar skajshmërisht të deformuar parimin e diskriminimit pozitiv”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas KMDLNj-së, vetëm për vitin 2022 Qeveria e Kosovës, për t’i qetësuar serbët e veriut të Kosovës e në kurriz të kësaj kanë përfituar edhe të tjerët ka ndarë 63 milionë euro për pagesën e faturave për energji elektrike që e kanë shfrytëzuar dhe keqpërdorur, pa asnjë masë kufizimi, për dallim nga paguesit e rregullt të faturave poshtë lumit Ibër që iu janë nënshtruar reduktimeve dhe prishjeve të shumta.

“Qeveria aktuale e Kosovës ka fituar vota me premtime të forta dhe të pakundërshtueshme se më nuk do të paguajë rrymën për serbët e veriut të Kosovës duke sulmuar qeveritë paraprake për këtë. Duket se ka një marrëveshje politike që detyron Qeverinë e Kosovës të mbulojë shpenzimet për rrymën e keqpërdorur në veri të Kosovës, pandershëm dhe pamëshirshëm nga qytetarët sikur, sidomos nga krimi i organizuar për prodhimin e kriptovalutave dhe bimëve narkotike”, thuhet në reagim.

Më tej theksohet se veprimi i qeverisë (ve) që dikriminon qytetarët ekskluzivisht në baza etnike është në kundërshtim të plotë me ligjin, me të drejtat e njeriut dhe frymën kushtetuese që garanton mbrojtje nga çdo diskriminim.

“Qeveria e Kosovës po e bënë pikërisht të kundërtën, po e përligj një diskriminim me arsyetime politike dhe duke sulmuar qeveritë paraprake. Në kohën kur pjesa dërrmuese e qytetarëve të Kosovës presin me ankth çdo rritje të çmimit të energjisë elektrike për faktin se për shkak të inflacionit galopant dhe rritjes tej mase të çmimit të artikujve të domosdoshëm të shportës familjare, qytetarëve në veri të Kosovës nuk iu bënë fare përshtypje edhe nëse çmimet e rrymës rriten edhe 500 për qind; asgjë nuk paguajnë, asnjë cent të vetëm dhe gëzohen me problemet me të cilat përballen të tjerët. Në kohën kur KEDS-i për 10 minuta të vonesës së shlyerjes së faturës, në mënyrë automatike të shkyç nga rrjeti i furnizimit dhe për rikyçje duhet të paguani para shtesë, serbëve në veri nuk guxon askush të lexojë njehsorët e rrymës e që janë vendosur nga Elektroserbia që këtë pjesë të Kosovës e trajton sikur të ishte pjesë e Serbisë. Operatori i licencuar nga Artane Rizvanolli, ‘Elektrosever’, aspak nuk dallon nga Elektroserbia, është pjesë operative e saj. Me asgjë dhe për asgjë nuk iu përgjigjet institucioneve të Kosovës”, theksohet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj ka theksuar se kupton dhe përkrah çdo vendim që qytetarët e Kosovës të ndihmohen nga Qeveria e Kosovës, qoftë pjesërisht apo edhe përmes shlyerjes së borxheve të grumbulluara që nga përfundimi i luftës, jo sipas parimit etnik por sipas gjendjes ekonomike që e kanë.

“Në KMDLNj ka raste kur familje skajshmërisht të varfra, për shkak të pamundësisë së shlyerjes së borxheve të grumbulluara, që nga përfundimi i luftës ua ndërprenë furnizimin me rrymë duke i kthyer në epokën e gurit. Më herët i dërgonin nëpër gjykata kurse tani i kanë lënë në mëshirën e përmbaruesve duke ua marrë borxhin edhe nga pensionet apo të ardhurat minimale që i kanë e që, e njëjta gjë nuk ndodhë në veri të Kosovës. Nëse Qeveria e Kosovës ua shlyen të gjitha borxhet për rrymë, që nga përfundimi i luftës e deri më sot serbëve dhe të tjerëve në veri të Kosovës (deri vonë edhe në lokacionet tjera ku jetojnë serbët në Kosovë) pse atëherë nuk paska mundësi të bëjë një falje të pjesshme apo të krejt borxhit për familjet që, as nuk kanë pasur mundësi t’i shlyejnë borxhet dhe që, as tani nuk e kanë asnjë mundësi të bëjnë këtë?! Qeveria duhet të jetë e mëshirshme ndaj kategorive të rrezikuara sociale dhe të jetë e pamëshirshme ndaj atyre që kanë mundësi t’i paguajnë borxhet, që shpërdorojnë rrymën të cilën nuk e paguajnë, ta përdorin rrymën për veprimtari kriminale, vetëm për ta ruajtur dhe blerë një qetësi dhe lojalitet politik të cilin, as nuk e kanë pasur e as që do ta kenë”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas këtij institucioni, rritja eventuale e energjisë elektrike sipas rekomandimeve dhe lejes së kusarëve të ZRRE-së, në mënyrë zinxhirore do të rrisë çmimet e artikujve të domosdoshëm dhe shërbimeve që pashmangshëm do të ndikojë në varfërimin e mëtutjeshëm të qytetarëve të Kosovës. “Rritja e pamëshirshme, e papërgjegjshme dhe e pamoralshme e tatimit në pronë në masën mbi 100 për qind, nga persona të papërgjegjshëm, ka qenë atentat mbi ekonomitë familjare. Paralajmërimi i rritjes së çmimit për mbledhje të plehrave është ngarkesë shtesë ndonëse KMDLNj mendon se këto shërbime ishin shumë të lira dhe e pamundësojnë punën e kompanive të pastrimit. KMDLNj dënon këtë trajtim të pabarabartë dhe diskriminues të qytetarëve të Kosovës, në baza ekskluzivisht etnike për faturat e energjisë elektrike dhe rikujton Qeverinë e Kosovës se, me këtë veprim apo mosveprim, në mënyrë flagrante po ua shkelë të drejtat e njeriut të pjesës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës që e ka bërë të ditur edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, thuhet në këtë reagim.

Sipas KMDLNj-së, fati që Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës për faktin se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për trajtim diskriminues të qytetarëve në baza, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut do ta penalizonte rëndë Kosovën duke detyruar që të kompensojë qytetarët e Kosovës për plaçkitjen flagrante përmes fryrjes së faturave me të cilat janë mbuluar faturat për serbët në veri të Kosovës dhe në lokacionet tjera.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampionia e Evropës në atletikë, Luiza Gega kërkon suksese të…