KMDLNj: Veteranët e UÇK-së duhet të përfshihen në ligjin për paga

06 qershor 2022 | 13:34

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka thënë se veteranët e UÇK-së duhet të përfshihen në ligjin për paga.

“KMDLNj përkrah çdo protestë paqësore, si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut dhe në këtë kontekst e përkrahë edhe protestën e veteranëve të luftës e cila është imponuar për shkak të shpërfilljes së skajshme që ia bëjnë institucionet aktuale të Kosovës. KMDLNj vlerëson se Kryesia e Kuvendit dhe vet kryetari i Kuvendit është dashur ta pranojnë një grup përfaqësuesish të veteranëve të luftës, të dëgjojnë propozimet e tyre dhe të shmangin konfrontimin e veteranëve të luftës me Policinë e Kosovës e që është krejtësisht e panevojshme. KMDLNj fton palët që të ulen dhe përmes bisedimeve të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë në mënyrë që të mënjanohet përshkallëzimi i situatës sikur që ndodhi sot”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj ka ftuar institucionet e Kosovës të tregojnë më shumë respekt për veteranët e luftës dhe të mos i shpërfillin duke diskriminuar përmes përjashtimit nga Ligji për pagën minimale.

“Në të njëjtën mënyrë po sillen edhe me pensionistët kontributpagues të periudhës para luftës së fundit ndaj të cilëve po bëhet shkelje flagrante e të drejtave të njeriut në kundërshtim me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. KMDLNj përkujton opinionin dhe politikbërësit se edhe paga minimale e propozuar nga Qeveria e Kosovës (264 euro ), më shumë paraqet fyerje për veteranët e UÇK-së se sa që është një vlerësim e lëre më shpagim për kontributin e tyre gjatë luftës së fundit në Kosovë!”, është theksuar në reagimin e KMDLNj-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialdemokrate (PSD), Frashër Krasniqi, ka…