KMShK-ja del me qëndrim për raportimin e rasteve të vetëvrasjes në media

09 mars 2023 | 15:24

Në kodin e etikës të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) thuhet se trajtimi i rrëfimeve te tragjeditë personale duhet të zhvillohet me kujdes dhe vetëm kur ka interes të lartë publik mbi çështjen.

“Gazetarët duhet të respektojnë të drejtën e njerëzve për të mbajtur zi dhe duhet t’i raportojnë këto tema, duke treguar empati dhe vetëpërmbajtje. Gazetarët duhet të respektojnë vuajtjet e viktimave dhe ndjenjat e familjarëve të tyre. Po ashtu, gazetarët dhe mediet duhet të tregojnë maturi me fotografitë dhe pamjet, si dhe duhet të kenë në konsideratë ndjeshmërinë e publikut gjatë raportimit. Vetëvrasja nuk është asnjëherë rezultat i një faktori apo ngjarjeje, por i shumë faktorëve me bazë problemet psikologjike. Mediet duhet të jenë të vëmendshme për të shpjeguar këto situata. Përsëritja dhe mbulimi i vazhdueshëm i ngjarjeve të tilla mund të shërbejë si nxitës për raste të tjera. Mediet duhet të kenë parasysh që tragjeditë e tilla të mos mbulohen në mënyrë sensacionale”, thuhet në njoftimin e KMShK-së.

Sipas KMShK-së, duhet shmangur dramatizimi dhe glorifikimi i personave që kryejnë vetëvrasje.

“Mediet duhet ta kenë parasysh që vetëvrasja nuk është një akt racional, por një akt dëshpërimi. Raportimet për rastet e vetëvrasjes duhet shfrytëzuar për vetëdijesimin se si të shpëtohen jetët. Përveç trajtimit me ndjeshmëri të rasteve, është mirë të jepen edhe informacione se ku mund të kërkohet ndihmë dhe këshilla nga personat që mund të kenë probleme dhe, si rezultat, mund të ndërmarrin aktin e vetëvrasjes. Duhet të shmangen titujt, gjuha dhe imazhet sensacionale, ashtu si dhe publikimi i detajeve të aktit të vetëvrasjes. Njëkohësisht duhet shmangur spekulimet, veçanërisht nëse rasti ka të bëjë me një person të njohur. Edhe figurat publike kanë të drejtë në privatësi”.

“Mungesa e profesionalizmit, mungesa e sensibilitetit dhe konkurrenca në tregun e medieve janë faktorë që ndikojnë në raportime problematike të rasteve të vetëvrasjeve. Andaj, gazetarët dhe mediet duhet të kenë kujdes që: të shmangin raportimin sensacional, të kenë kujdes në përdorimin e imazheve dhe videove, t’i shmangin detajet e panevojshme gjatë raportimit, ashtu si dhe citimet ose letrat e lamtumirës të viktimave. Mediet të mos publikojnë fotografitë e viktimave. Në raste të caktuara gazetarët dhe mediet mund të zgjedhin mosraportimin e vetëvrasjes, si zgjidhje e kuptueshme. Ata, po ashtu, duhet të kenë parasysh që të mos heroizojnë ose romantizojnë rastet e tilla. Përtej raportimit për aktin, gazetarët dhe mediat duhet të ruajnë privatësinë e të afërmve të viktimave, ndërkaq duhet të ofrojnë informacione për organizatat që ofrojnë ndihmë, linjat e ndryshme të ndihmës dhe të ngjashme”, thuhet në njoftimin e KMShK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka deklaruar se…