KMShK-ja duhet të vendosë edhe për ankesat e videove të publikuara në mediat online

15 prill 2019 | 18:44

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka organizuar të hënën një tryezë diskutimi për plotësimin e Kodit të Mediave të Shkruara në mënyrë që të përfshihen edhe disa nga ndryshimet të cilat i imponon dinamika e rrjedhave edhe në shoqërinë kosovare.

Të ftuar për të diskutuar për këto ndryshime ishin: Imer Mushkolaj, kryetar i KMShK-së, Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, dhe Florent Spahija, këshilltar ligjor i KMShK-së.

Gjatë diskutimeve ku morën pjesë kryeredaktorët e mediave, gazetarë, dhe përfaqësues të organizatave që merren me media, u theksua se KMShK-ja duhet të vendosë edhe për ankesat që kanë të bëjnë me përmbajtjen e videove të publikuara në mediat online.

Gjithashtu, u diskutua edhe për nevojën që në Kodin e mediave të përfshihet edhe kapitulli për sinjalizuesit, pasi tashmë Kosova ka një ligj që i mbron ata.

Në rekomandime gjithashtu përfshihet një pikë në Kapitullin V në të cilën kërkohet që mediat të respektojnë urdhëresat e gjykatave në rastet kur gjykimet mbahen të mbyllura për arsye të parapara me ligj.

Gjatë kësaj tryeze u theksua nevoja edhe për ndryshime të tjera të cilat së pari do t’u dërgohen gazetarëve, që të japin mendimet e tyre, e pastaj të gjitha rekomandimet të diskutohen në KMShK para se të miratohet versioni përfundimtar i Kodit të Mediave të Shkruara.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur të hënën…