Kosnetti: ShBA-ja vazhdon t’i përkrahë përpjekjet e Kosovës për të fuqizuar sundimin e ligjit

15 prill 2019 | 18:36

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur të hënën në takim, ambasadorin e ShBA-së, Philip Kosnett, me të cilin ka diskutuar çështjet lidhur me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe më gjerë reformat me ndikim në procesin e integrimit të Kosovës në BE.

Hoxha ka thënë se ShBA-ja vazhdimisht ka ofruar ndihmë dhe mbështetje për Kosovën në zhvillimin dhe forcimin e parimeve demokratike.

“Ne njëkohësisht kemi qenë një nga përfituesit më të mëdhenj të asistencës së ShBA-së, dhe për këtë ne jemi falënderues”, ka thënë ministrja Hoxha, duke shtuar se Kosova ka miratuar ligjet dhe është në proces të hartimit dhe shqyrtimit të komponentëve të tjerë të legjislacionit për të përforcuar sundimin e ligjit, në veçanti kuadrin ligjor në fushën penale, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe reformat gjyqësore.

Ministrja Hoxha ka falënderuar ambasadorin Kosnett për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së në proceset kyçe për Kosovën, dhe konsolidimin e shtetësisë tonë.

Ndërkaq ambasadori Kosnett ka vlerësuar angazhimin e ministres Hoxha për proceset integruese, duke potencuar rëndësinë e fuqizimit të sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke ofruar përkrahje për proceset integruese të Kosovës.

“ShBA-ja vazhdon të përkrah përpjekjet e Kosovës për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe eliminuar dukuritë negative që minojnë funksionimin e mirëfilltë të institucioneve dhe demokracisë në vend, me pritjen që këto të arritura të shtohen më tej, duke kontribuar në zbatimin e reformave, zbatimin e MSA-së dhe përfarimin me vlerat e vendeve të BE-së, në dobi të qytetarëve, të shtetit dhe rajonit”, ka thënë ambasadori Kosnett.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga ora 21:00 në “Vicarage Road Stadium” takohen Watfordi dhe…